Një shkrim që lindi nga avulli i syzeve prej maskës

Nga Joan Ollen/ Erich Seligmann Fromm, psikolog dhe filozof gjerman me prejardhje hebre, botoi në vitin 1941 librin ¨Escape from Freedom¨ (¨Arratisje nga Liria¨). Libri u botua në Shtetet e Bashkuara, në Anglisht, sepse asokohe, në Europë, niveli i frikës ishte shumë më i lartë se niveli i lirisë. Ca prej nesh e lexuan më vonë këtë libër, bashkë me ¨Arti i dashurisë¨, kur dëgjonim këngët e Dylan por nuk i kuptonim mirë. Mjegulla që më shkaktonin syzet bashkë me maskën më bëri t`i rikthehem Fromm-it, njësoj si dikush që rikthehet në vendlindje.
Ishte eksperiencë e bukur ritakimi me skllavërinë tonë, me mendimin Luteran se Zoti dhe në mungesë të kishës mund të na udhëheqë në kundërshtim me tezat Kalviniste të një diktature, perfekte, qiellore. Fromm veçon këto tre koncepte kryesore per tiu arratisur lirisë, koncepte që kanë kryesuar shek. XX: autoritarizmi, shkatërrimi, konformiteti. I pari, autoritarizmi është vënia në zbatim e dëshirës së një personi ose të një grupi njerëzish që duan të kenë nën kontroll të tjerët për hir të një ideje ¨superiore¨. Fromm përmend bashkatdhetarin e tij Hitler dhe qeverisjen e tij bazuar në idenë se i përkiste një race superiore dhe se si propozimet e tij rezultuan tërheqëse për klasën e mesme të popullsisë, si duket kishin nevojë për krenari dhe siguri. I dyti, shkatërrimi, sipas Fromm, konsiston në shkatërrimin e çdo gjëje të cilën nuk e kontrollon dot, ashtu siç ndodhi gjatë holokaustit. Dhe i fundit, konformiteti, është mbrujtja e besimeve, normave, mënyrës së të menduarit, në mënyrë të pandërgjegjshme nga qeveritarët tek popullsia. Kjo mënyrë bën që turma të besojë që ka zgjedhur vetë të mendojë kësi soji, njëkohësisht nuk iu lejon qytetarëve të zhvillojnë mendimet e tyre të lira dhe shkakton një ankth të tmerrshëm.
Covid-i na solli një lidhje tjetër me pushtetin; për ta bërë më të lehtë pasigurinë tonë para të panjohurës, ai na dikton si të sillemi dhe si të veprojmë për hir të së mirës së përbashkët, duke na gjobitur dhe duke na hequr lirinë tonë personale sepse kështu udhëzon ¨këshilli i ekspertëve¨, pikërisht këtë shkruante Fromm, fjalë për fjalë, para 80 vjetësh.
Nuk ka ditë që nuk ndjejmë keqardhje për dëmet që i ka sjellë pandemia një sektori apo një tjetri përmes masave të ndryshme nga kjo qeveri apo një tjetër. Populli nevrikoset sepse vë re se ka kundërshti në masat që janë vënë, si përshembull grupimet e njerëzve në transportin publik, të detyruar të vënë maskë njësoj si një njeri i vetmuar në një pyll apo një plazh të virgjër. Por jo, sot nuk vlen më shprehja ¨'piove, ¡porco governo! Sot ne, me mjeshtërinë më të madhe, kemi mundësinë, privilegjin dhe detyrimin të jemi protagonistët e vetvetes dhe të ardhmes tonë personale apo të përbashkët.
Fromm e përmbyll me këto fjalë: ¨Jeta ka vetëm një domethënie, ta jetosh. Por për ta jetuar duhet të jesh shumë afër atyre me të cilët e ndan botën¨.

*Joan Ollen, drejtori i teatri të Barcelonës, profesor në Institutin e Teatrit, në vitet (1992-2001) drejtor i Sitges Teatre Internacional. Ka vënë në skenë disa vepra të Mario Vargas Llosa, Javier Cercas, Albert Camus etj. Artikulli u shqipërua për Tirana Post nga Albana Murra.