Shije

Romani i ri i Haruki Murakamit, udhëtim surreal në botën paralele

"Kam bindjen e plotë se pranë botës në të cilën jetojmë, asaj që njohim, ekziston edhe një botë tjetër të cilën e injorojmë, një botë paralele dhe e panjohur, struktura e së cilës është e pashpjegueshme me fjalë. Por ajo ekziston dhe herë pas herë shohim ndonjë shenjë, ashtu rastësisht."
Romani i ri i Haruki Murakamit, udhëtim surreal në botën paralele

New Yorker/ Në romanin tuaj të fundit, “Vrasja Komendatorit”, rrëfimtari është i fiksuar nga kujtimi i motrës së vdekur. Përse ka ndikuar kaq shumë në vepër ky mendim?

Ekzistojnë të paktën tre lloje lëndimesh emocionale: disa lëndime shuhen menjëherë, të tjera duan shumë kohë ndërsa ka edhe nga ato që rrinë deri në vdekje. Besoj se një prej parimeve bazë të narrativës është të zbulojë sa më shumë dhe sa më në thellësi plagët e përhershme. Sepse janë këto lëndime, këto plagë, që në të mirë apo në të keq përcaktojnë jetën e individëve. Dhe historitë, ato me vlera, arrijnë të identifikojnë plagën, të përcaktojnë shtrirjen e saj (shpesh i lënduari as nuk e di se plaga ekziston) dhe veprojnë për ta shëruar.

Momenti më dramatik i tregimit zhvillohet në një shpellë pranë malit Fuxhi. Përse kjo zgjedhje?

Shpellat gjithmonë më kanë magjepsur. Kam vizituar shumë të tilla gjatë udhëtimeve, mes së cilave, edhe këtë shpellën e erës në malin Fuxhi.

Komi i thotë vëllait se personazhet e “Liza në Botën e Çudirave” ekzistojnë realisht. Gjatë gjithë romanit realja dhe surrealja nuk dallohen plotësisht, i mbivendosen njëra-tjetrës, pothuaj siç ndodh në shumë prej veprave të tyre. Pse ndodh kjo në romanet tuaja?

Atë pyes edhe unë. Kur shkruaj romane, realja dhe surrealja përzihen në mënyrë spontane dhe unë nuk kam një skemë të saktë për këtë. Sa më shumë sforcohem që të shkruaj në mënyrë realiste, aq më shumë ndjej nevojën e surreales, në mënyrë të pashmangshme. Për mua, një roman është si një festë e hapur për të gjithë, nga e cila mund të largohesh kur të duash. Mendoj se romanet e mia marrin forcë nga ky sens i lirisë.

Duke ikur në strofullin e lepurit, për ta thënë kështu, Komi zbulon një kthinë të fshehur në formë krejtësisht rrethore. Ajo hapësirë ka ndonjë vlerë metaforike? Apo hyn me të vërtetë në një botë tjetër?

Kam bindjen e plotë se pranë botës në të cilën jetojmë, asaj që njohim, ekziston edhe një botë tjetër të cilën e injorojmë, një botë paralele dhe e panjohur, struktura e së cilës është e pashpjegueshme me fjalë. Por ajo ekziston dhe herë pas herë shohim ndonjë shenjë, ashtu rastësisht. Shohim një dritë, sikundër një rreze që ndriçon për një çast mjedisin përreth.

“Liza në Botën e Çudirave” vazhdon të jetë një pikë referimi përgjatë romanit. Edhe ju, ashtu sikundër personazhi Komi, jeni i fiksuar pas Lewis Carroll?

Dyshoj se ka ndonjë fëmijë që nuk magjepsur nga Lewis Carroll. Sipas meje, hijeshia e tij qëndron në faktin se përshkruan botën e vet, një realitet paralel që nuk ka nevojë për shpjegime dhe fëmijët thjesht mund ta jetojnë.

“Vrasja e Komendatorit” krijon një thyerje me krijimet tuaja të mëparshme apo është në të njëjtën linjë?

Është romani i parë i shkruar në vetën e parë pas kaq e kaq kohësh. Në të vërtetë kuptova se më kishte munguar shumë ky lloj shkrimi. M’u duk sikur u riktheva në një kënd lojërash të njohur. E kam shijuar shumë shkrimin e librit. Plotësimi i tij në mënyrë të përpiktë, deri në detajet e fundit, ishte një punë shumë shpërblyese./Haruki Murakami është shkrimtar japonez, i lindur në Kyoto në vitin 1949. Është fitues i shumë çmimesh ndërkombëtare për letërsi dhe flitet se disa herë ka qenë në listën e pretendentëve për Nobelin. Në shqip janë përkthyer librat e tij “E dashura ime Sputnik”, “Pylli norvegjez”, “Në jug të kufirit, në perëndim të diellit”, “Kronika e zogut kurdisës”. Intervista u përkthye nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al