Reagon kryetarja e MEK për dëbimin e dy diplomatëve iranianë: E guximshme!


Kryetarja e opozitës iraniane, Maryam Rajavi, që jeton në Manzë të Durrësit ka reaguar pasi Shqipëria dëboi dy diplomatë nga Irani. Rajavi ka përshëndetur vendimin e marrë nga qeveria, duke e quajtur të guximshëm në luftën kundër terrorizmit dhe sigurimin e sigurisë së njerëzve të Shqipërisë dhe refugjatëve iraniane.
“Dëbimi nga qeveria e Shqipërisë e dy diplomatëve të regjimit iranian është një masë e guximshme dhe e admirueshme në luftën kundër terrorizmit dhe sigurimin e sigurisë së njerëzve të Shqipërisë dhe refugjatëve iranianë”, shkruan Rajavi në Twitter.
Permes një njoftimi ministri i jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, tha se Shqipëria largoi dy përfaqësuesit e Republikës Islamike të Iranit pasi u shpallën persona non grata, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka vendosur sot, që përfaqësuesit diplomatikë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri, z. Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe z. Seyed Ahmad Hosseini Alast, të shpallen persona të padëshirueshëm, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Dy përfaqësuesëve të Republikës Islamike të Iranit ju është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë.”shkruante Cakaj./ Tiranapost.al.
http://www.tiranapost.al/shqiperia-debon-dy-diplomate-iraniane/