Rajoni

Vaksinohet Vuçiç i Serbisë: E kishte në dorë vetë dhe ja cilën vaksinë zgjodhi

Vaksinohet Vuçiç i Serbisë: E kishte në dorë

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç bëri sot vaksinën anti-koronavirusit. Presidenti i Serbisë, 51 vjeç e kishte në dorë zgjedhjen e llojit të vaksinës, por ai i besoi vaksinës kineze Sinopharm. Zgjedhja e tij vjen pasi disa ekspertë sugjeruan se vaksina kineze do të fillojë të kërkohet në masë.

Pasi mori dozën e parë, Vuçiç postoi një status në Instagram ku shkruan:

"Bëra vaksinën dhe ndihem mirë. Faleminderit punonjësve tanë të shkëlqyer shëndetësorë. Faleminderit vëllezërve tanë kinezë. ”

Presidenti serb e shtyu me një muaj vaksinimin, dhe në media u aludua për tre arsye. Që Vuçiç kishte frikë gjilpërat dhe nuk do i shpëtonte dot kamerave nëse do ta bënte, që nuk kishte besim tek vaksinat, apo që ishte vaksinuar më parë, por asnjëra nga këto nuk rezultoi e saktë.

Serbia ka një nga nivelet më të larta të vaksinimit anti COVID-19 në Evropë, kryesisht falë blerjeve të mëdha të vaksinës Sinopharm. Kombi ballkanik po përdor gjithashtu vaksinën ruse Sputnik V dhe ato të zhvilluara nga Pfizer-BioNTech dhe Oxford-AstraZeneca.

Rreth 1.5 milion nga 7 milion njerëz në Serbi kanë marrë të paktën një dozë vaksine deri më tani.

Në media thuhet se presidenti i Rusisë Vladimir Putin e ndihmoi personalisht Serbinë me vaksina anti-Covid, po ashtu edhe presidenti i Kinës, Xi Jinping.

Serbia ishte vendi i parë që miratoi dhe filloi të përdorë si vaksinat Sinopharm ashtu edhe Sputnik V. Rregullatorët e barnave të BE nuk kanë autorizuar ende përdorimin e këtyre vaksinave.

*Tiranapost.al.