Rajoni

Tha se bënte tifo për skuadrën serbe, Dritan Abazoviçi përpiqet të korrigjojë deklaratën në një intervistë për Euronews Albania

Tha se bënte tifo për skuadrën serbe, Dritan Abazoviçi

Dritan Abazoviç është përpjekur të shpjegojë arsyen se pse shprehu mbështetjen për ekipin e Serbisë pak para ndeshjes me Anglinë.

“Do të jem në stadiumin e Gelsenkirchen, duke brohoritur për Serbinë kundër Anglisë. Shpresoj se është koha për befasinë e parë të madhe, edhe një barazim dhe do të ishte rezultat i mrekullueshëm, por pse të mos besoni se Anglia mund të rrëzohet”!

Kjo deklaratë e ish kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, shkaktoi një valë reagimesh mes shqiptarëve në Shqipëri, Mal të Zi e Kosovë.

Në një intervistë për Euronews Albania lidhur me këto deklarata, Abazoviç tha se mbështet të gjitha skuadrat e rajonit.

“Unë kam ardhur në Dortmund për të parë Shqipërinë. Gjithashtu e kam shfrytëzuar rastin duke qenë se kemi mbërritur në Gjermani, shkuam dhe në ndeshjen mes Serbisë dhe Anglisë. Në të ardhmen do jemi dhe në ndeshjen mes Kroacisë dhe Italisë. Ashtu sikurse kam ardhur të mbështet Shqipërinë, duke qenë se mbështet një politikë paqësore, kam simpati edhe për skuadra të tjera të rajonit. Këtë moment vetëm Serbia dhe Kroacia janë këtu, por shpresoj në një kampionat tjetër do të jetë Mali i Zi, Bosnja apo Kosova. Ai është qëllimi i asaj deklarate”, tha Abazoviç.

Abazoviç sqaroi se në televizionin serb ka thënë se ka shkuar në Gjermani për të mbështetur Shqipërinë dhe është shprehur se në ndeshjen Angli-Serbi, mbështet më shumë këta të fundit.

“Për televizionin shtetëror të Serbisë kam thënë se kam ardhur të mbështes Shqipërinë, por gjithashtu kundër Anglisë kam tifozllëk më të fortë ndaj Serbisë. I uroj sukses dhe ekipeve të tjera në këtë kompeticion”, tha ai.