Rajoni

Ta shikojmë, ne apo opozita? Zaev i Maqedonisë së Veriut kërkon mocion votëbesimi

Ta shikojmë, ne apo opozita? Zaev i Maqedonisë së Veriut

Kërkoi sot nga Kuvendi, votëbesim për qeverinë e tij. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev bëri kërkesën, pas sulmeve të vazhdueshme nga opozita se shumica parlamentare e ka humbur mbështetjen dhe besimin tek qeveria e tij prej 31 gushtit dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Zoran Zaev tha:

“Ky është momenti kur duhet të shohim se kush dhe sa numra ka në Kuvend, ne apo opozita, e cila vazhdimisht pretendon se do ta rrëzojë Qeverinë dhe do të formojë një shumicë të re. Lajmet e rreme dhe bllokadat krijojnë pasiguri politike. Unë nuk do ta lejoj këtë, andaj edhe kërkoj votëbesim për Qeverinë”.

Votëbesimi do bëhet pa debat dhe pritet në orët në vijim. Ndërsa Opozita tha se ai ka frikë nga debatet ndaj zgjodhi këtë mënyrë. Edhe opozita shqiptare drejtoi kritika ndaj Zaevit për propozimin që votëbesimi i Qeverisë të bëhet pa debat.

Por çfarë ndodh nëse merr votën e mosbesimit?

Zoran Zaev jep dorëheqjen dhe brenda 24 orëve, kohë kur duhet ta njoftojë kryetarin e Kuvendit.
Ndërsa kryetari i Kuvendit njofton presidentin e Republikës.

*Tiranapost.al.