Rajoni

Studentëve në universitetet greke do u kërkohet certifikatë vaksinimi, ose test negativ për të ndjekur leksionet

Studentëve në universitetet greke do u kërkohet certifikatë

Qeveria greke pas dhënies së 150 eurove për të gjithë të rinjtë nën 25 vjeç që marrin vaksinën anti-COVID ka prezantuar një tjetër masë për të nxitur vaksinimin tek kjo grupmoshë.

Me fillimin e vitit të ri akademik në Tetor, të gjithë studentët e universiteteve helene do të duhet që të kenë ose një certifikatë vaksinimi, ose test negativ në mënyrë që të ndjekin leksionet nga auditori. Në rast se zgjidhet opsioni i dytë, duhet të bëhet test i ri çdo javë dhe shpenzimet për të duhet të mbulohen nga vetë studenti.

“Nuk mund të diskutojmë mos hapjen e universiteteve, sepse të gjithë kanë mundësinë të vaksinohen”- ka thënë zv.ministri i Arsimit Angelos Sirigos për të përditshmen greke “Kathimerini”.

Vendimi vjen pasi është konstatuar se rreth 50% e infektimeve të reja me koronavirus në Greqi janë me variantin e ri “delta”, i cili është më i tranmetueshëm edhe më i rrezikshëm për të rinjtë se varianti standart.

Deri tani qeveria e Micotakis në Greqi dhe administrata Macron në Francë kanë qenë më radikalet në imponimin e detyrimit të vaksinave për një pjesë të madhe të popullsisë dhe në reagim të këtyre qëndrimeve në të dy shtetet ka pasur protesta masive për lirinë e zgjedhjes dhe të drejtën individuale për të mos u injektuar me vaksinën.

Tiranapost.al