Rajoni

Rama thirrje presidentit Vuçiç: Mos ushqeni me asnjë lloj justifikimi tensionet në Veri të Kosovës

Rama thirrje presidentit Vuçiç: Mos ushqeni me asnjë lloj

Kryeministri Rama ka mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez. Gjatë fjalës së tij Rama iu drejtua presidentit të Serbisë Vuçiç dhe autoriteteve serbe të mos ushqejnë asnjë lloj konflikti si ai i djeshmi në veri të Kosovës.

“Kemi folur edhe për Kosovën. Dihet që Spanja ka një pozicion të ndryshëm dhe tradicionalisht të palëvizshëm për arsye që lidhet me vetë Spanjën dhe nuk kanë të bëjnë me asnjë lloj paragjykimi ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe të drejtës së tyre. Ne diskutuam sidomos në kuadrin e një situate që mbrëmë vonë ka pasur një përshkallëzim të paarsyeshëm, pasi qeveria e Kosovës ka të drejtën dhe detyrën të zbatojë marrëveshjet duke zbatuar sovranitetin territorial. Marrëveshjet e dakordësuara janë për t`u zbatuar dhe jo për t`u diskutuar. Sidoqoftë ne përshëndesim shtyrjen e afatit për zbatim të reciprocitetit me 30 ditë. I bëj thirrje autoriteteve dhe presidentit të Serbisë të mos ushqejë me asnjë lloj justifikimi dhe alibie grupe të caktuara në veriun e Kosovës që i kundërvihen zbatimit të një marrëveshje që është e vlefshme të zbatohet”, tha Rama.

Mbrëmjen e djeshme pati konfrontim të disa grupeve të caktuara serbe që bllokuan me mjete të rënda kufijtë me Kosovën, pasi qeveria Kurti vendosi zbatimin e reciprocitetit të targave dhe dokumenteve të identifikimit.

Ndërkaq për vizitën e kryeministrit spanjoll në Shqipëri, Rama tha:

Kjo është vizita e parë e një kryeministri spanjoll në vend dhe vizita e parë e një zyrtari të lart të BE-së pas shpalljes së negociatave.

"Ne kemi një pritshmëri të lartë nga presidenca spanjolle që do të udhëheqë BE-në në 2023-shin. Në hapje të një sezoni që sipas nesh është shumë i përshtatshëm për ne, se fillon me Spanjën, vazhdon me Belgjikën dhe pastaj me Hungarinë. Këto tre vende kanë përmbyllur integrimin e Kroacisë në BE. Janë vende me pozicion absolutisht në qartë. Janë tre vende të prirura të mbështesin BP në këtë proces”, tha Rama.

Shqipëria dhe Spanja firmosën sot në Tiranë marrëveshjen dypalëshe për krijimin e një grupi të përbashkët hetimi në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.