Rajoni

Qeveria e Abazoviç në dorë të partive pro-ruse e Boshnjake

Qeveria e Abazoviç në dorë të partive pro-ruse e Boshnjake

Parlamenti i Malit të Zi është mbledhur duke debatuar rreth mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Kryeministrit Dritan Abazoviç.

Nisma për t’i hequr votëbesimin qeverisë është kërkuar nga 36 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve, të disa partive në koalicionin qeveritar dhe partive të tjera që pretendojnë se rruga e Malit të Zi drejt Bashkimit Europian nuk po ecën në mënyrën e duhur dhe se janë shtuar tensionet ndëretnike në vend.

“Mali i Zi nuk ka më kohë për eksperimente politike. Është koha që të kemi zgjedhje për një qeveri legjitime”, tha Danijel Zhivkoviç, përfaqësuesi i Partisë Demokratike Socialiste, të presidentit Milo Gjukanoviç.

Kryeministri Abazoviq thotë se kërkesa për rrëzimin e qeverisë nuk ka të bëjë me proceset europiane, por me marrëveshjen që qeveria e tij arriti me Kishën Ortodokse Serbe. “Ju e keni dorëzuar iniciativën për shkak të Marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe. Ju thatë se ishte krim dhe tradhti ndaj interesave kombëtare dhe mos u fshihni pas europianizmit tani”, tha Abazoviç.

Qeveria e Abazoviç në dorë të partive pro-ruse e Boshnjake

Marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe shkaktoi përplasje brenda koalicionit qeverisës që në fillim. Një pjesë e partive qeverisëse, theksuan se marrëveshja është kundër interesave kombëtare të Malit të Zi dhe nuk është në pajtim me kushtetutën dhe ligjet malazeze. Edhe shoqëria civile dhe opinionistë të pavarur patën vërejtje serioze për përmbajtjen e Marrëveshjes.

Në fillim të gushtit, kryeministri Abazoviç i refuzoi zyrtarisht të gjitha kundërshtimet e organizatave joqeveritare, Akademisë së Shkencave të Malit të Zi, si dhe institucioneve të tjera në vend.

Për të rrëzuar qeverinë, e cila deri tani funksiononte si qeveri pakice, nevojiten votat e të paktën 41 nga 81 deputetë të parlamentit të Malit të Zi. Është e paqartë se cili do të jetë epilogu i seancës parlamentare, sepse Fronti Demokratik, si parti pro-ruse, apo Demokratët e Alekse Beçiqit dhe Partia Boshnjake, ende nuk janë shprehur se si do të votojnë. Një pjesë e votave të tyre, të paktën pesë, nevojiten për rëzimin e qeverisë.