Rajoni

Maqedonia e Veriut konfirmon rastin e parë me Flurona

Maqedonia e Veriut konfirmon rastin e parë me Flurona

Në Maqedoninë e Veriut është regjistruar rasti i parë i një qytetari i infektuar Flurona, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Flurona është një term i krijuar për të përshkruar gjendjen e të infektuarit me COVID-19 dhe njëkohësisht me grip sezonal.

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoni të Veriut ka bërë të ditur se rasti është zbuluar në Kërçovë nga një klinikë private tek një person i moshës 26 vjeç, i cili më 31 dhjetor kishte udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Bazuar në anketën epidemiologjike, personi në fjalë ishte i vaksinuar me dy doza të vaksinave. Pas detektimit të infektimit pacienti ndodhet në shtëpinë e tij për trajtim mjekësor në gjendje stabile shëndetësore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoni të Veriut, Flurona manifestohet me simptoma të koronavirusit dhe gripit sezonal. Detaje tjera nuk janë dhënë.

Rasti i parë i një personi të infektuar me COVID-19 si dhe me grip sezonal në të njëjtën kohë u raportua nga Ministria e Shëndetësisë së Izraelit duke ngritur pikëpyetje të shumta se si dy viruset mund të ndikojnë tek personat e prekur nga këto dy viruse në të njëjtën kohë.

Të mërkurën më 5 janar, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 1,375 raste të reja me koronavirus ndërsa janë detektuar edhe nëntë raste të reja me variantin Omicron duke çuar në dhjetë numrin e të infektuarave me këtë variant.

Rritja e rasteve sipas Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoni të Veriut, ka të bëjë me festat e fundvitit dhe mosrespektimin e masave mbrojtëse ndaj COVID-19. /REL/