Rajoni

Kosova ndryshon masat anti-covid: Gjthçka që duhet të dini për të udhëtuar

Kosova ndryshon masat anti-covid: Gjthçka që duhet të dini
Kosova ka miratuar ditën e sotme masat e reja kundër Covid-19. Duke filluar nga 5 shkurti, për t’u futur në Kosovë duhet të jeni të vaksinuar me dy doza ose me një dozë të vaksinës Johnson & Johnson dhe të mos keni më shumë se 12 muaj që e keni marrë dozën e fundit. Po ashtu, kufiri mund të kalohet me dëshmi që e keni kaluar Covid-19 në 90 ditët e fundit, ose nëse keni një dozë vaksine dhe një test PCR negativ jo më i vjetër se 48 orë.

Rregullat e reja:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton masat e reja të vendosura nga Republika e Kosovës për hyrjet në vend. Duke filluar prej datës 5 shkurt, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:

1. Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë me dy doza ose me një dozë të vaksinës Johnson & Johnson, që nuk ka kaluar më shumë se 12 muaj nga marrja e dozës së fundit;

2. Certifikatën e vaksinimit me një dozë e shoqëruar me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë;

3. Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 në 90 ditët e fundit (test RT-PCR pozitiv i lëshuar 21–90 ditët e fundit);

4. Dëshmi se personi e ka marrë dozën e tretë/përforcuese.

5. Dëshmi të testit RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë.

Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikave të përmendura më lart përjashtohen:

Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova (tranzit) brenda 3 orësh, përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajë deklaratën se do largohet nga Kosova brenda 3 orëve dhe që dalja në pikë kufitare të jetë e ndryshme nga hyrja;

Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtar për mbrojtje nga COVID-19;

Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;

Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda 5 orëve;

Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë dhe pjesëtarët e trupave të KFOR;

Personat nën moshën 12-vjeçare;

Shtetasit e Republikës së Kosovës që nuk i kanë dy doza të vaksinës janë të detyruar të kryejnë karantinim shtëpiak, për një periudhë prej 7 ditësh që nga hyrja në territorin e Kosovës;

Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës përkatëse se kanë kundërindikacione dhe janë liruar nga detyrimi i vaksinimit.

Këta persona duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19, të bërë jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).

Personat të moshës 12-16 vjeç duhet të posedojnë testin RT-PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë.

Tiranapost.al