Rajoni

Intervista e Ramës nga Shkupi një ditë përpara Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, nuk komenton mungesën e Kurtit

Intervista e Ramës nga Shkupi një ditë përpara Forumit

Kryeministri Edi Rama ndodhet ditën e sotme në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut së bashku me homologun e tij Zoran Zaev dhe presidentin e Serbisë Alexander Vuçiç. Tre liderët kanë bërë një shëtitje në qendër të Shkupit ku janë përshëndetur me kalimtarët, disa prej të cilëve kanë ndaluar për të bërë “selfie” me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Intervista e Ramës nga Shkupi një ditë përpara Forumit

Prezenca e Ramës në Shkup është për të marrë pjesë ditën e nesërme në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, një emërtim i ri për atë që mediatikisht deri tani e kemi njohur si programi “mini-shengen”, një treg i lirë për rajonin tonë.

Në një intervistë të shkurtër të dhënë për televizionin “Top Channel”, Rama është shprehur se Forumi nesërm do të jetë korniza për formulën e BE, që konsiston në lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, ndërkohë që ka refuzuar të kthejë përgjigje për mungesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në këtë forum.

Fragment nga intervista me TCH:

TCH: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga forumi i ditës së nesërme?

Rama: Janë disa vendime, marrëveshje për tu nënshkruar, është dhe një Forum Ekonomik me komunitetin e biznesit dhe vazhdojmë punën.

TCH: Përse do t’ia ndryshoni emrin kësaj inciative të Shengenit?

Rama: Shengeni Rajonal është vetëm korniza e një formule që është formula e BE, pra korniza e katër lirive të BE, lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, e shërbimeve dhe kapitalit. Duke qenë se shumëkush është kapur pas këtij emri dhe është menduar që të ketë një emër tjetër thjesht si nisëm, unë mendoj se kush do të kapet me emrin, do të kapet prap me emrin, nuk është se do të zgjidhet gjë nga kjo anë.

TCH: Jeni i keqardhur se Albin Kurti nuk është nesër me ju?

Rama: Nuk kam koment për këtë.

Kujtojmë se Kurti nuk do të marrë pjesë në këtë Forum, teksa që prej viteve të opozitës është shprehur kundër projektit të mini-shengen, që sipas kryeministrit të Kosovës nuk do i shërbente interesave të shqiptarëve në rajon.

“Qëndrimet tona për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘Minishengen’, tashmë janë të njohura. Kjo iniciativë nuk e ka miratimin tonë”- ka thënë në një komunikim për mediat qeveria e Kosovës.

Tiranapost.al