Rajoni

Erdogan: Turqia mund të blejë më shumë S-400 rusë pavarësisht paralajmërimeve të SHBA

Erdogan: Turqia mund të blejë më shumë S-400 rusë

Presidenti turk Erdogan ka deklaruar se Ankaraja po konsideron blerjen e më shumë sistemeve mbrojtëse ruse edhe pse ka msrrë shumë paralajmërime nga SHBA.

Në një intervistë me transmetuesin amerikan CBS News, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se Turqia do të marrë vendime mbi sistemet e saj të mbrojtjes në mënyrë të pavarur.

Duke folur me korrespondenten Margaret Brennan në Nju Jork javën e kaluar, Erdogan shpjegoi se Turqisë nuk i ishte dhënë opsioni për të blerë raketa të prodhuara nga Amerika dhe SHBA nuk kishte dërguar avionë F-35 pavarësisht se kishte marrë një pagesë prej 1.4 miliardë dollarë.

"Në të ardhmen, askush nuk do të jetë në gjendje të ndërhyjë në lidhje me llojin e sistemeve të mbrojtjes që marrim, nga cili vend dhe në çfarë niveli," tha Erdogan. “Askush nuk mund të ndërhyjë në këtë. Ne jemi të vetmit që marrim vendime të tilla. ”

Erdogan sfidues

Turqia e cila është anëtare e NATO-s u përjashtua nga programi F-35 dhe zyrtarët e saj të mbrojtjes u sanksionuan pasi blenë sistemin e mbrojtjes S-400 të prodhuar nga Rusia.

SHBA kundërshton fuqishëm përdorimin e sistemeve ruse brenda NATO-s dhe thotë se paraqet një kërcënim për F-35. Turqia pohon se S-400 mund të përdoren në mënyrë të pavarur pa u integruar në sistemet e NATO-s dhe për këtë arsye nuk përbëjnë asnjë rrezik.

Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara sanksionuan Turqinë për blerjen e saj sipas një ligji të vitit 2017 që synon të shtyjë ndikimin rus. Ishte hera e parë që ligji i quajtur Kundërvënia e Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA) u përdor për të penalizuar një aleat amerikan.

Megjithatë, Erdogan ka mbetur sfidues.

"Ne i bëjmë thirrje Turqisë në çdo nivel dhe mundësi të mos mbajë sistemin S-400 dhe të përmbahet nga blerja e ndonjë pajisje shtesë ushtarake ruse," tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit kur u pyet për komentet e Erdoganit.

Para se të largohej nga Nju Jorku, Erdogan u tha gazetarëve se marrëdhëniet me Presidentin Joe Biden nuk kishin filluar mirë pavarësisht marrëdhënies së mirë me udhëheqësit e mëparshëm.

"Nuk mund të them me ndershmëri se ka një proces të shëndetshëm në marrëdhëniet turko-amerikane," citoi agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu Erdogan të thoshte të enjten.

Erdogan gjithashtu tha se Biden nuk e ngriti kurrë çështjen e të dhënave të Turqisë për të drejtat e njeriut.

Tiranapost.al