Rajoni

‘Do ulemi në bisedime me Serbinë!’ Albin Kurti në konferencë me Olaf Scholz

‘Do ulemi në bisedime me Serbinë!’ Albin Kurti në

Ka nisur vizita dy-ditore e Olaf Scholz në Ballkan dhe ndalesa e parë u bë në Kosovë. Në një konferencë me Albin Kurtin, Scholz u pyet në lidhje me qëndrimin e tij mbi Open Balkan. Samiti i këtij të fundit u mbajt në Ohër, pak ditë më parë. Serbia ishte e pranishme, Kosova mungoi.

As Scholz gjatë fjalës së tij nuk e përmendi Open Balkan dhe as Kurti. Të dy u shprehën se dialogu me Serbinë është i rëndësishëm.

Kurti tha: “Po vazhdojmë përgatitjen për aplikimin për statusin e vendit kandidat në fund të këtij viti. Nevojë urgjente është anëtarësimi i Kosovës në programin për paqe të NATO-s. Sa i përket çështjes së dialogut me Beogradin tregova se jemi të gatshëm për zgjidhje”.

Scholz tha: “Kemi biseduar për procesin e Berlinit për rijetësimin dhe në vjeshtë do të mblidhemi. Me rëndësi për Kosovën është që dialogu mes Serbisë dhe Kosovës të shkojë përpara. Përmes një marrëveshje të gjejnë një zgjidhje specifike, sidomos në kohërat e sotme, pas luftës në Ukrainë. Marrëveshja duhet të zgjidhë në fund edhe njohjen e Kosovës, se është e papranueshme që dy vende që nuk e njohin njëra tjetrën të futen në BE”.

Një pyetje nga gazetarët iu drejtua Scholz rreth Open Balkan dhe faktit që Kosova nuk ishte e pranishme në Samit.

“Ka pasur takime edhe në Berlin. Aty ka pasur një mundësi për t`u takuar edhe për të nisur dialogun.

Është diçka ku në fund kërkohet edhe pragmatizëm, që të zgjidhen çështjet në kuadër të dialogut. Sa i përket pyetjeve për Open Balkan dua ta bëj të qartë që për ne prioritet të madh ka Tregu i Përbashkët Rajonal, që duhet të realizohet. Të gjitha çështjet që janë në funksion të atij, janë të rëndësishme. Nëse të gjithë duan të shkojnë në BE, edhe atje janë të rëndësishme rregullat e lëvizjes. Kushdo që do t`i bashkohet, duhet t`i ndjekë ato”.