Rajoni

Bullgaria do të tërheqë ambasadorin nga Shkupi

Bullgaria do të tërheqë ambasadorin nga Shkupi

Ministri i Jashtëm bullgar, Nikolai Milkov pas një seance në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme të Bullgarisë është shprehur, se Bullgaria do të tërheqë ambasadorin e saj nga Shkupi dhe do të ndërpresë të gjitha projektet e përbashkëta ndërshtetërore me Maqedoninë e Veriut.

Ky hap është ndërmarrë pas tensioneve të fundit me Maqedoninë e Veriut, sidomos pas sulmit fizik ndaj Hristijan Pendikovit, përfaqësuesit të një klubi bullgar në qytetin e Ohrit. Sulmi ndaj tij ka ndodhur më 19 janar, por hetimet ende nuk kanë përcaktuar nëse ai është sulmuar për shkak të mosmarrëveshjeve personale, apo për shkak të nënshtetësisë bullgare. "Të gjithë jemi të mendimit se gjërat nuk mund të vazhdojnë siç kanë qenë. Kjo që po ndodh nuk është qasje produktive. Duhet të bëhet e qartë se gjërat kanë ndryshuar. Ne do të shqyrtojmë më shumë komponente dhe elemente të bashkëpunimit tonë dypalësh me Maqedoninë e Veriut”, ka deklaruar kreu i diplomacisë bullgare, Nikolai Milkov.

Bullgaria kërcënon me ripërsëritjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut

I pyetur nëse pas këtij incidenti Sofja do t'i bllokojë bisedimet e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, Milkov ka thënë se Bullgaria nuk do ta bëjë këtë gjë, sepse siç tha, bisedimet asnjëherë nuk kanë filluar”. Kreu i diplomacisë bullgare ka ritheksuar mundësinë se nëse Maqedonia e Veriut vazhdon të sillet në këtë mënyrë ekziston ripërsëritja e vetos për fillimin e dialogut mes Shkupit dhe BE-së. "Maqedonia që të vazhdojë rrugëtimin evropian duhet patjetër t'i respektojë detyrimet e marra nga BE. Bullgaria nuk ka nevojë të ndërmarrë asgjë por vetë do të vëzhgojë se a respektohen këto detyrime nga pala maqedonase. Në propozimin evropian nuk ka afate për realizimin e obligimeve që do të thotë se Maqedonia ato mund t'i plotësojë me vite të tëra, por kjo do të thotë se pa plotësimin e tyre, bisedimet për anëtarësim në BE nuk mund të fillojnë”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Nikolai Milkov.