Rajoni

BE-ja thirrje Kosovës dhe Serbisë: Ndalni retorikën nxitëse! Nëse ka përshkallëzim, përgjegjës do jenë politikanët

BE-ja thirrje Kosovës dhe Serbisë: Ndalni retorikën nxitëse!

Zëdhënësi, Peter Stano, të dielën e sotme, 14 gusht ka nisur një deklaratë në adresë të politikanëve të Kosovës dhe të Serbisë. Në të shprehet shqetësimi për situatën e tensionuar mes dy vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Stano e vë theksin tek retorika e përdorur nga të dyja palët dhe shprehet se nëse do të ketë përshkallëzim, do të jetë përgjegjësia e politikanëve.

“Rritja e retorikës nxitëse kohëve të fundit nga ana e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, në veçanti deklaratat rreth luftës dhe konfliktit në Ballkanin Perëndimorë paraqesin shqetësim të madh. Politikanët e lartë nga të dyja palët do të mbahen përgjegjës për çfarëdo përshkallëzimi që mund të qoj deri tek ndonjë rritje të tensioneve dhe potencialisht në dhunë në rajon”, thuhet në këtë deklaratë.

Aty thuhet se të dyja palët duhet “menjëherë t’i japin fund armiqësive mes tyre dhe deklaratave nxitëse, si dhe të veprojnë me përgjegjësi”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se në komunat veriore të Kosovës, më 31 korrik, pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur.

Presidenti i Serbisë, Akeksandër Vuçiq tha se ka informacione për plane se në veri të Kosovës po përgatitet “likuidimi i popullit serb”, duke iu referuar popullsisë serbe që jeton në Kosovë.