Rajoni

Albin Kurti ka 6 kushte për pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Albin Kurti ka 6 kushte për pranimin e Asociacionit të komunave me

Kryeministri Albin Kurti ka treguar gjashtë kushtet në mënyrë që të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kushtet e Albin Kurtit për themelimin e Asociacionit:

1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

2. Asociacioni nuk mund të jetë mono etnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimi horizontal të komunave, sipas kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje, kreu 5.

3. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtëse përkatëse duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit mes dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

4. Paravendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjithë armëve ilegale.

5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara të pesë shteteve anëtare të BE-së dhe tek të tjerat për mospranimin e aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2019.

Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar, më 23 dhjetor të vitit 2015, se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ishin tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Kushtetuesja ka thënë se ky asociacion mund të formohet, nëse harmonizohen me Kushtetutën ato parime që nuk janë në harmoni me të.

Serbia, në anën tjetër, këmbëngul që Asociacioni të formohet në bazë të marrëveshjeve të arritura.