Rajoni

Alarm për sulm me bombë në qendër të Shkupit, evakuohen godinat përreth

Alarm për sulm me bombë në qendër të Shkupit, evakuohen

Një alarm për sulm me bombë në qendër të Shkupit, në afërsi të Teatrit Kombëtar, ka shkaktuar panik mbrëmjen e sotme dhe ka vënë në lëvizje strukturat e zbatimit rendit.

Mediat e Maqedonisë së Veriut raportojnë se shfaqja e parashikuar për tu mbajtur këtë mbrëmje është anuluar dhe se qytetarëve që kishin blerë biletat online do t’iu kthehen paratë.

Ministria e Punëve të Brendshme ka informuar opinionin se veproi pas denoncimeve për sulm, pasi një person në orën 16 e 45 minuta u paraqit në biletarinë e Teatrit Kombëtar të Maqedonisë.

Sipas MPB-së, bëhej fjalë për masa standarde të policisë, pas denoncimeve dhe menjëherë pasi të përfundojnë kontrollet dhe besueshmërinë e informacioneve do ta informojmë opinionin.

Ministria e Brendshme u bëri thirrje qytetarëve që të rrinin të qetë pas bllokimit të disa rrugëve në afërsi të Teatrit, Prokurorisë dhe Ministrisë së Jashtme si dhe evakuimin e punëtorëve nga godinat përrreth.

Më pas, Ministria informoi se pas alarmit për bombë në qendër të Shkupit, ajo ka kryer të gjitha kontrollet dhe ka konstatuar se alarmi për bombë ka qenë i rremë dhe se nuk ka pasur asnjë rrezik për jetën e qytetarëve.

Ndërkohë, jan marrë të gjitha masat për të gjetur personin që ka shpërndarë këtë informacion të rrejshëm dhe që ka shkaktuar panik te qytetarët, sipas autoriteteve vendase.

Tiranapost.al