Qyteti

Zgjedhjet 2025, Veliaj nga Kavaja: Ata le të merren me llafe, shpifje e gënjeshtra, ne e kemi fokusin te fitorja e radhës

Zgjedhjet 2025, Veliaj nga Kavaja: Ata le të merren me llafe, shpifje e

Nga takimi me strukturat e PS në Kavajë, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, tha se ambicia e tij është që në zgjedhjet e ardhshme, Kavaja të bashkohet me trenin e fitoreve në Bashkinë e Tiranës, Kamzës, Vorës dhe Rrogozhinës.

“Ne i kemi provuar të dyja: edhe shijen e thartë të humbjes me pak vota, por edhe shijen e ëmbël të fitores masive. Duke qenë se i kemi provuar të dyja përvojat, dimë ekzaktësisht si të korrigjohemi, si të kërkojmë ndjesë aty ku mund të kemi bërë një gabim. Faj s’kemi bërë, por gabime të vogla! Mund të kemi nënvlerësuar dikë, duhet të respektonim të tjerë duke e mbajtur shtëpinë hapur, që të jenë pjesë fuqizuese e familjes sonë. I kemi nxjerrë të gjitha këto mësime. Unë besoj fort se në Qarkun e Tiranës, që është edhe qarku më i madh dhe që prodhon numrin më të madh të mandateve - nuk e di sa do jenë fiks, 38-39-40 – por, është e rëndësishme të fitojmë kudo. Jo të fitojmë 4-1, por 5-0, siç na ka hije, siç i ka hije qarkut tonë, që është qarku që prodhon numrin më të madh të deputetëve”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku komentoi edhe sulmet opozitare, kur tha se janë të planifikuara nga ata që s’dinë të bëjnë një punë të mirë dhe sulmojnë PS sepse e kanë të pamundur t’i fitojnë zgjedhjet. Veliaj tha se ata e kanë të ndarë mendjen që të merren vetëm me llafe, sherre, shpifje e gënjeshtra.

“Nuk ka njeri dyshim që, edhe ky sulm “non stop”, që bëhet ndaj Tiranës, ndaj partisë sonë, ndaj lidershipit tonë, bëhet me plan. Sepse e dinë që Qarku i Tiranës do të ketë edhe grupin, edhe prodhimin më të madh të mandateve në Parlament. Nuk bëhet fjalë për sherre personale. Asnjë prej nesh nuk është naiv. Bëhet fjalë për një sulm “non stop”, për të sulmuar të gjitha figurat kryesore të PS-së, sepse është e pamundur që ata të fitojnë. Ndërkohë, teksa ata e kanë ndarë mendjen të merren me llafe, me sherre, me shpifje, me gënjeshtra - le të vazhdojnë punën e tyre - ne merremi me fitoren, me organizimin e njerëzve, me mobilizimin, me projekte konkrete, ne kemi një kryetar si Edi Rama, që është padyshim kryeministri më i mirë që kemi pasur, që nga koha e Pavarësisë, dhe një Parti Socialiste që ka thyer rekord me tre mandate dhe që do ta thyejë bindshëm rekordin me katër mandate. Ne kemi punën tonë dhe jemi fokusuar te finishi, ata le të vazhdojnë të merren me llafe. Përgatituni që kush do të angazhohet me politikë, do i dëgjojë edhe ca nga këto llafet. Unë tashmë jam mësuar, por për disa që janë të rinj, do dëgjoni lloj-lloj çudirash. Por si një sportist i mirë, kur dikush flet nga shkallët, nuk e lëmë ndeshjen për t’u marrë me atë te shkalla, por rri në fushë derisa të bëjë golin, e të fitojë siç i ka hije Tiranës sonë dhe gjithë qarkut tonë, 5-0”, u shpreh Veliaj.