Qyteti

Veliaj: Së shpejti nis puna për Terminalin e ri Verior

Veliaj: Së shpejti nis puna për Terminalin e ri Verior

Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Andrea Stefani” në Laprakë iu bashkuan fushatës së Bashkisë Tiranë për mbjelljen e 159 pemëve, në vijim të rritjes së gjelbërimit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duke u ndalur te projektet e reja, që pritet të zbatohen brenda këtij mandati, ai foli edhe për Terminalin Verior të autobusëve, ku njoftoi se shumë shpejt do të nisin punimet, teksa theksoi se do të rrisë ndjeshëm vlerën e pronës në gjithë zonën, pasi do frekuentohet gjerësisht jo vetëm nga udhëtarët, por edhe nga banorët përreth, siç ka ndodhur në Terminalin Lindor.

“Do të nisim punimet për Terminalin Verior të autobusëve, ndaj do të doja të kishim një bashkëpunim me njësinë. E di që, si në çdo punë që bëhet në Tiranë, fillimisht do dalin ca pretendues të tokës, pastaj futen partitë politike sepse jam i sigurt që edhe ky investim nuk do i shpëtojë këtij mallkimi, që me sa duket, e kanë ata që punojnë në këtë qytet. Kush punon do shihet, kush hap një kantier do pengohet. Por, ajo që është e rëndësishme është se kemi fituar betejën ligjore. Sot i kemi kaluar të gjitha fazat me zaptuesit, pretenduesit, me lloj-lloj personazhi, që është afruar për ta marrë atë tokë. Toka është e bashkisë, ne i kemi fituar ato beteja. Gjykatat kanë dhënë verdiktin final. Dua bashkëpunim maksimal dhe mirëkuptim, që të mos e bllokojmë më qytetin. Ndryshe, vetëm vonohemi, se punët gjithsesi do ndodhin. Tek Astiri vetëm u vonua, se Astiri u bë; tek Bulevardi u vonuam, te Teatri po ashtu. Punët do bëhen, çështja është të mos vonohemi më. Sikur të kishim punuar aq shumë sa kemi bërë debate, do kishim ecur më përpara. Kush ka nevojë të shohë një provë se çfarë do të thotë ky terminal modern, mjafton të shohim atë në Lundër. Kush është dyshues, duhet të shohë se si është bërë atje, për të parë se si do bëhet këtu”, përfundoi Veliaj.