Qyteti

Veliaj: Së shpejti nis ndërtimi i tre shkollave të reja në Tiranë

Veliaj: Së shpejti nis ndërtimi i tre shkollave të reja në

Pas hapjes së dy qendrave shëndetësore në Lagjen 13 dhe në Lanabregas, banorët e një tjetër lagjeje në kryeqytet do të marrin shërbimet shëndetësore pranë shtëpive të tyre. Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ishin sot në Qendrën e re Shëndetësore në Lagjen 14, e cila përfshin zonën e njohur si “Astiri”.

Veliaj tha se në këtë zonë, disa vite më parë, nuk ekzistonte as Unaza e Madhe, as bulevardi, dhe nuk kishte as poliklinikë, ku banorët mund të merrnin shërbimet shëndetësore. Ai u shpreh se pavarësisht bindjeve, lufta nuk është me njëri-tjetrin, por me kohën e humbur dhe me një infrastrukturë që ka nevojë të urbanizohet.

“Ndonjëherë, kur futet politika, e kthen luftën me njeri-tjetrin si luftë kundër projekteve. Humbëm tre vjet, kemi humbur vite të tëra, ndaj besoj që qytetarët do e kuptojnë se vetëm duke punuar ecim përpara. Bashkia përmirësoi furnizimin me ujë dhe bëri bulevardin, ARRSH-ja dhe ministrja Balluku sollën Unazën; Ministria e Shëndetësisë solli qendrën shëndetësore, e mandej do vijojmë me tre shkollat e reja”, vijoi ai.

Veliaj tha se Astiri është një zonë që zmadhohet çdo ditë e më shumë, ndërsa u bëri thirrje banorëve që të regjistrohen.

“Jemi në një lagje ku jetojnë rreth 100 mijë banorë. Por, para 5-6 vitesh gjetëm të regjistruar vetëm 7 mijë banorë. Investimet vijnë në proporcion me numrin e banorëve. Fakti që tani kemi arritur 20 mijë, pra lagjja është trefishuar; kjo nuk do të thotë se janë trefishuar banorët, por janë trefishuar regjistrimet”, tha Veliaj.

Ai tha se shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i tre shkollave të reja.

“Teksa shërbimet po vijnë aty ku janë banorët, kemi plotësuar realisht një kërkesë që ky komunitet e ka pasur jetësore”, nënvizoi kryebashkiaku.

Ndërsa, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu falenderoi kryetarin e Bashkisë për bashkëpunimin dhe tha se tashmë banorët do marrin shërbimin shëndetësor aty, pa pasur nevojë për të shkuar diku tjetër.

“Kjo qendër shëndetësore ofron edhe kujdesin për fëmijët tanë sepse konsultori mungonte në këtë zonë. Është një zonë e re, pra ka shumë nevojë për të patur kujdes parandalues për fëmijët, siç është paketa që ne ofrojmë për programin e vaksinimit, tashmë ofrohet në këtë qendër, ku janë 7 mjekë të dedikuar dhe shumë infermierë që ofrojnë këtë shërbim”, tha Manastirliu.

Në Bashkinë e Tiranës, në këto 3 vite, janë transformuar 34 qendra shëndetësore dhe ambulanca, duke ofruar shërbim cilësor për qytetarët dhe kushte më të mira pune për personelin shëndetësor.