Qyteti

Veliaj nga Njësia 5: PS drejt mandatit të tretë për të përfunduar punët; alternativa e PD-LSI është riciklimi i Saliut

Veliaj nga Njësia 5: PS drejt mandatit të tretë për të

Në një takim të zhvilluar me qytetarët në Njësinë 5, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Partia Socialiste është në prag të shkrimit të historisë, sepse shkon e sigurt drejt fitores së mandatit të tretë. Ai theksoi se në Shqipëri ka shumë punë që janë nisur nga Partia Socialiste, të cilat ajo do t’i përfundojë me sukses.

“Jemi në prag të shkrimit të historisë. Sipas të gjitha sondazheve, PS po shkon drejt mandatit të tretë, i cili do na shërbejë si mjet për të kryer punët që kemi në proces: do të përfundojmë vaksinimin, të cilën vetëm kjo qeveri mundi ta fillonte ndër të parat në rajon, si dhe do të mbarojmë procesin e rindërtimit. Shumica e ndërtesave sot janë në nivel karabinaje, vetëm sot në Tiranë kemi 800 kantiere të hapura,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se fakti që PS-së po i bashkohen edhe nga forcat kundërshtare, do të thotë që jemi në një rrugë të mbarë, pasi alternativa PD-LSI janë riciklim i vjetërsirave.

“Ne bëjmë çdo ditë nga një punë konkrete, të prekshme për njerëzit. Kurse alternativa që na vihet përballë është riciklimi i vjetërsirave, të cilët nuk mund të quhen ndryshim. Njerëzit e kanë harruar që dikur i kemi pasur ministra shëndetësie këta të LSI-së, duke filluar nga Vangjel Tavo, Petrit Vasili, madje kemi pasur ministër Shëndetësie edhe Nard Ndokën. Ky brezi i ri mbase nuk e kupton, se e njeh nga memet Nard Ndokën, por ai ka qenë ministër Shëndetësie kur ishin plehrat mullar në spital? Ç’vaksinë do sillnin këta? Sollën vetëm minj nëpër spitale. Kur ty të vjen kjo alternative si ndryshim, dhe t’i paketojnë si gjë e re të gjitha karikaturat e 30 viteve të fundit, është turp,” tha Veliaj.

*Tiranapost.al.