Qyteti

Veliaj: Miratuam 199 apartamentet e para që do ndërtohen në kombinat

Veliaj: Miratuam 199 apartamentet e para që do ndërtohen në

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dha këtë mëngjës lajmin e miratimit të 199 apartamenteve të para, të cilat do të rindërtohen në Kombinat.

“Këshilli Bashkiak u mblodh edhe në fundjavë, - është e paprecedentë, kur kemi ardhur në Bashkinë e Tiranës s’ishte mbledhur dy vjet, tani mblidhet edhe në fundjavë, - kaluan 199 apartamentet e para të Kombinatit, që do të firmosin kontratë-porosinë. Siç shkon tek një privat, që merr një kontratë-porosi me penalitete e afate, kështu do funksionojë edhe në këtë rast, ku zhvilluesi është shteti. Me këto 199 apartamente, hapet edhe kantieri i Kombinatit,” u shpreh Veliaj gjatë një interviste në studion e “News 24”.

Kryebashkiaku tha se tek lagjja 5 Maji puna është pak më e avancuar, ndërsa për shkollat do jetë një tjetër histori suksesi.

“Ne kemi ecur me themelet e pallateve dhe kemi dalë në sipërfaqe. Ndërkohë, me shkollat kemi ecur pak më mirë. Sigurisht, të mëdhatë si “Sami Frashëri” kërkojnë dhe një infrastrukturë nëntokësore shumë të madhe, por në shkolla të tjera si Hasan Vogli , Qazim Turdiu, e shkollat e tjera rurale kemi bërë goxha progres dhe besoj se në shtator ne do i hapim masivisht, do jetë ndoshta hapja më e madhe e shkollave në historinë e Shqipërisë,” deklaroi Veliaj.