Qyteti

Veliaj: Ata që shpresojnë se i vetmi shans për fitore është që unë dhe Edi Rama të kemi konflikt, janë vulëhumbur

Veliaj: Ata që shpresojnë se i vetmi shans për fitore

Po zhvillohet sot publikisht Konkursi Ndërkombëtar për projektin fitues mes studiove prestigjoze për qendrën shumëfunksionale në Tiranë, ku një juri e përbërë nga Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, si dhe një grup arkitektësh të mirënjohur si Pablo Bofill, Stefano Boeri, Filippo Innocenti, Freek Persyn, do të vlerësojë propozimet mbi projektin Tirana Multifunctional Center, të cilat do të prezantohen nga studiot ndërkombëtare prestigjoze OODA, Cebra, FUKSAS, JDG+SHIGERU, UN STUDIO.

Kryebashkiaku Erion Veliaj foli edhe për situatën e ndërtimeve pa leje, të cilave tha se u është dhënë më në fund zgjidhja me vendimin e qeverisë. Veliaj tha se nga 300 mijë ndërtesa gjithsej që janë në Tiranë, ato pa leje numërohen me gishtat e dorës.

Sipas Veliajt, ajo pjesë e opozitës që shpreson në një konflikt mes tij dhe kryeministrit Rama janë vulëhumbur.

“Kush mendon se i vetmi shans që ata [opozita] të fitojnë ndonjëherë në këtë qytet ose në këtë vend është që unë dhe Edi Rama të kemi konflikt, do ju bëhen gjunjët me kallo duke u lutur për diçka që s’ka për të ndodhur kurrë. S’ka asnjë arsye që, në momentin që këtij qyteti dhe këtij vendi punët po i shkojnë mirë - jo perfekt, ka shumë gjëra që ne duhet t’i bëjmë më mirë - por nëse janë vetëm në këtë shpresë, do të thotë se janë komplet vulëhumbur,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Veliaj: Ata që shpresojnë se i vetmi shans për fitore

Kurse Kryeministri Edi Rama tha se ndihet krenar për Tiranën që ka arritur këtë nivel të tërheqjes së vëmendjes edhe të respektit në botën e arkitekturës bashkëkohore.

“Së pari, dua të falenderoj anëtarët e jurisë, të cilët e kanë pranuar ftesën për t’iu bashkuar kësaj ngjarjeje të rëndësishme për historinë e zhvillimit të kryeqytetit. Dua të falenderoj me shumë respekt të gjitha studiot. Janë të pesta studio me vepra mbresëlënëse, me reputacion të rëndësishëm që nga mjeshtri i madh i arkitekturës bashkëkohore italianë, Massimiliano Fuksas, tek një prej yjeve të arkitekturës japoneze, Shigeru Ban, tek UNStudio, Cebra, Oda, studio, të cilat vijnë sot me një bagazh eksperience dhe sfidash të panumërta.

Jam shumë krenar që Tirana e ka arritur këtë nivel të tërheqjes së vëmendjes edhe të respektit në botën e arkitekturës bashkëkohore dhe po ashtu, jam shumë i kënaqëur që sot kemi një praktikë të cilën e kemi ndjekur dhe herë të tjera në vitet e shkuara, në kohën kur unë isha kryetar i bashkisë, për të ballafaquar ide të ndryshme për një zhvillim, i cili nuk është zhvillim i zakonshëm, është zhvillim në zemër të Tiranës dhe bëhet fjalë për të vendosur për ngritjen e një ndërtese, e cila i shtohet vijës së qiellit të Tiranës, por nga ana tjetër, i shtohet xhevahireve që ka Tirana e arkitekturës moderne e këtij shekulli”, tha Rama.