Temperaturat nën zero, Veliaj: Sistemuam të pastrehët, të gjitha strukturat tona në terren

Në një kohë kur temperaturat kanë zbritur nën zero, strukturat e Bashkisë së Tiranës janë në gatishmëri për t’u siguruar një ambient të ngrohtë dhe ushqim për të gjithë personat e pastrehë në qendrat sociale. Në një intervistë për Neës 24, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, foli mbi masat e ndërmarra për të menaxhuar këtë situatë.
“Shqetësimi më i madh që kemi çdo vit është për personat në situatë rruge, edhe pse nuk janë rezidentë të Tiranës. Një pjesë e madhe e atyre janë njerëz që mund t’i ketë zënë nata këtu, ose janë larguar nga qytetet dhe fshatrat e tyre. Kanë histori njerëzore shumë të dhimbshme, nga më të ndryshmet. Nuk dua t’i hyj dramave që i kanë sjellë njerëzit situatë rruge në Tiranë, sepse ajo është një gjë që meriton më shumë vëmendje gjatë gjithë kohës, por në këtë fazë për ne është shumë e rëndësishme siguria dhe integriteti i tyre fizik. Kjo është arsyeja përse Policia Bashkiake dhe punonjësit tanë socialë të terrenit, çdo natë shohim rrugët e Tiranës, marrin sinjalizime dhe fatmirësisht Tirana hyn në ato qytete të Europës me një numër shumë të vogël të atyre që flenë në situatë rruge. Në total, natën e pikut, ne kemi pasur vetëm 36 persona, pjesa dërrmuese nga qytete të tjera, nga shtete të tjera. Ne kemi hapur 9 qendra sociale, sigurisht ajo pritëse është qendra në Shkozë që ka edhe një lidhje me autobusët, pra dikush mund të vijë edhe vetë deri në qendër”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se një vëmendje e posaçme i është kushtuar ngrohjes në institucionet arsimore publike, të cilat janë në normalitet.
“Impenjimi ynë ka qenë kryesisht për të përballuar këtë javë në çerdhet, kopshtet, shkollat ku sigurisht është bërë gjithë furnizimi me kaldaja dhe sigurisht që ne i monitorojmë. Duke qenë se janë rreth 300 institucione arsimore, gjithmonë ndodh një defekt, apo ka një amortizimi, kështu që kemi qenë të gjithë në alert, të paktën për institucionet publike që menaxhon Bashkia e Tiranës”, tha Veliaj.