Qyteti

Nis ndërtimi i 11 pallateve të reja te '5 Maji,' Veliaj: Do jetë lagjja më e bukur, familjet do marrin çelësat dhe hipotekën

Nis ndërtimi i 11 pallateve të reja te '5 Maji,' Veliaj: Do

Procesi i Rindërtimit ka hyrë sot në fazën e tij më të rëndësishme. Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përuruan hapjen e kantierit të lagjes së parë të Tiranës te zona e “5 Majit”, ku do të sistemohen një pjesë e familjeve, shtëpia e të cilave u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Kryebashkiaku Veliaj tha se sot nis ndërtimi i 1000 apartamenteve të para, ku do sistemohen 1 mijë familje.

“Dua të falenderoj të gjithë ata që e kanë bërë të mundur, duke nisur nga Kryeministri i Shqipërisë, ministri i Rindërtimit, të gjithë ata që punojnë përditë në komunitet, pasi sot lajmërojmë ndërtimin e 11 pallateve të reja, 1000 apartamentet e para, të cilat do të akomodojnë në vijimësi ata që janë dëmtuar nga tërmeti. Familjet do të marrin një apartament me çelësa në dorë, me kontratë porosie në fillim, dhe me hipotekë ditën kur do të hyjnë me këmbën e djathtë në shtëpinë e tyre të re. Deri në atë moment, teksa ne vijojmë me projektin e rindërtimit këtu, do të vazhdojmë, bashkë me qeverinë shqiptare, të paguajmë kokërr më kokërr, të gjitha bonuset e qirasë për të gjithë ata që janë larguar nga apartamentet që do të duhet të prishen, për t’i lënë vend këtij kantieri të ri dhe apartamenteve të reja. Secili prej tyre sot është në një shtëpi më të mirë se ajo që u prish, derisa të shkojë në një shtëpi akoma edhe më të mirë, që do të jetë përgjithnjë shtëpia e tyre, në këtë projekt të quajtur “River Side””, sqaroi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë i kërkoi opozitës që të ndalë sulmet dhe stërkëmbëshat ndaj projekteve transformuese në vend. Veliaj tha se ky është një moment kur ata që shpifin duhet të turpërohen.

“Dua që përulësisht të kërkoj disa gjëra: Atyre që nuk bënë asnjë shkollë në Tiranë, u kërkoj që të turpërohen, të na lenë të punojmë, të skuqen, të largohen nga ky debat, sepse përhapja e histerisë, shkollat imagjinare në Pakuqan apo shkollat të cilat sabotohen për lajme të rreme, me përçarje dhe me gjuhën e urrejtjes, nuk funksionojnë. Ajo që funksionon janë shkollat që bëhen me plan, që bëhen me projekt, që bëhen me standardet më të mira dhe që do të jenë aty. Për të gjithë ata që nuk dhanë një shtëpi, por vetëm shtuan vilat e tyre, gjatë kohës së tërmetit dhe pandemisë, ju them na lini të qetë të punojmë. Për ata që nuk shpërndanë dot një koli me ushqime, nuk blenë dot një pako me ilaçe, u them na lini të punojmë”, tha ai.

Lagjja e re është projektuar nga arkitekti i famshëm italian Stefano Boeri, e cila do të ndërtohet nga themelet për 11 mijë banorë, do të kthehet në një qendër të re policentrike të Tiranës, me një qasje të re të zhvillimit urban, ekonomik e social, me infrastrukturë moderne dhe akses të garantuar në shërbime cilësore publike e private, nga shkollat e kopshtet tek njësitë tregtare, me parqe e mjedise sportive, si edhe institucione shtetërore.