Qyteti

Nga Pallati i Sportit te sheshi fundor i Bulebardit të Ri, Veliaj rendit projektet e mandatit të tretë

Nga Pallati i Sportit te sheshi fundor i Bulebardit të Ri, Veliaj rendit

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka deklaruar se brenda këtij mandati pritet të përfundojë puna për ndërtimin e Terminalit Perëndimor në kryeqytet. Në një intervistë televizive, Veliaj renditi disa nga projektet ku bashkia do të jetë e fokusuar në mandatin e tij të tretë. Ai shtoi se po përgatitet projekti për financimin e sheshit fundor të Bulevardit të Ri, zonë e cila theksoi se do të jetë një “Tiranë e re” për nga zhvillimi në 100 vitet e ardhshme. Dy projekte që nënvizoi kryebashkiaku ishin edhe ato të stadiumit “Selman Stërmasi” si dhe pallati i sportit “Asllan Rusi”.

“Me ndërtimin e Terminalit Lindor është zhvendosur një pjesë e madhe e atij trafiku kryesisht furgonët, autobusët që vijnë nga rrethet, nga juglindja, është vendosur aty. Tani kemi filluar punën për Terminalin Perëndimor, kështu që, dua që brenda këtij mandati ta zgjidhim edhe atë situatë. Terminali do të jetë në të njëjtin vend te Kthesa e Kamzës. Sigurisht disa nga autobusët që janë te Pallati i Sportit që janë linjë ndërkombëtare do t’i spostojmë, duke qenë se aty do të nisin matjet, për te Terminali Lindor dhe ndërkohë që do mundohemi që brenda të njëjtit kantier gjysma të jetë provizore për autobusët e veriut, verilindjes dhe jugut dhe gjysma tjetër do të jetë pjesa ku do të ndërtohet Terminali. Duhet të përgatisim projektin final, jemi në detajet e fundit përpara se të firmosim financimin për sheshin fundor të Bulevardit të Ri i cili për mendimin tim zgjidh përgjithmonë boshtin dhe shtyllën kurrizore të Tiranës. Fillon te sheshi “Nënë Tereza”, ka pjesën qendrore aty ku janë të gjithë tamam si organet e një qyteti, nga ana metaforike sheshi “Skënderbej” ka të gjitha organet e rëndësishme të vendit, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, kemi bërë të gjithë Bulevardin e Ri, plus bulevardin “Zogu i Parë” nga e para me të gjithë infrastrukturën moderne”, deklaroi Veliaj.


Ai u ndal edhe te qendra e madhe e panaireve që parashikohet të ndërtohet mes Farkës dhe Lundrës, një projekt ky i përbashkët me qeverinë. Nga ana tjetër Veliaj foli edhe për zonën e lirë ekonomike mes Kombinatit dhe Kasharit, e cila përveç infrastrukturës do të sjellë një realitet të ri ekonomik për të dyja këto zona.

“Një projekt për të cilin po punojmë me qeverinë ka të bëjë me një qendër të madhe panairesh. Ne kemi një marrëdhënie shumë solide me bashkinë e Veronës. Ne duam që me “Fiera di Verona”, panairi më i madh i verës, të kemi një qendër të ngjashme panairi mes Farkës dhe Lundrës. Ndërkohë Unaza do të ketë një lidhje me zonën e lirë ekonomike mes Kombinatit dhe Kasharit, pranë impiantit të ujërave të zeza të Tiranës, një tokë shumë e madhe, pjesa më e madhe ka qenë bashkiake, kemi bërë edhe shpronësime të cepave që ka qenë tokë djerrë e po kthehet në ndarje ku do të jenë kapanonet e kompanive që do të punojnë në zonën e lirë ekonomike të Tiranës. Por, jo të Tiranës së 2013-ës apo 2015-ës, ku ne synonim kapanonet e fasonerisë me paga shumë të ulëta, sot synojmë kapanonet e atyre që duan të bëjnë pjesë automobilash, pjesë bio-teknologjie, teknologjie informacione, teknologjie elektronike. Pra, punë që paguajnë rroga më të mira. Dhe sidomos për popullsinë e Kombinatit dhe Kasharit, në këtë trekëndësh gjykoj se kemi një super aset i lidhur me portin dhe aeroportin, me linjat e tensionit, rrugëve, kanalizimeve, ujit, dritave, po bëjmë një investim jo vetëm për të rregulluar infrastrukturën, asfaltin, ndriçimin, nuk është kjo risi, risi është çfarë do të bëjmë për të prodhuar një realitet të ri ekonomik”, nënvizoi Veliaj.h