Qyteti

'Mëso të kërkosh të drejtat e tua', AMK publikon pyetësorin për konsumatorin

'Mëso të kërkosh të drejtat e tua', AMK publikon

“A mund t’i marr mbrapsh paratë nëse kthej mallin? Jo, nuk na lejohet!” Kjo është padiskutim situata me e shpeshtë që çdokush nga ne mund të ketë pasur, sikur edhe një herë të vetme në jetë, kur flitet për marrëdhënien blerës-tregtar. Nga ana tjetër, pandemia ndikoi edhe më shumë që marrëdhënie të tilla të komplikohen, sidomos kur flitet për blerjet “online”, të shtuara gjerësisht në dy vjeçarin e fundit.

Meqënëse kjo situatë ndikon direkt në xhepin e çdo njërit prej nesh, ndjeshmëria na ka bërë të mendojmë se vetëm këtu flitet për të drejta të cënuara të konsumatorit. Por, jo kurdoherë që lind një marrëdhënie konsumatori, shkelet një e drejtë e veçantë e tij. Shumë herë, ajo që shkelet është një e drejtë e përgjithshme e personit. Ndaj, nëse nuk i dimë se cilat janë të drejtat tona, e më pas edhe detyrimet si konsumator, nuk do të dimë as si t’i kërkojmë ato.

Për këtë arsye, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, pjesë e Bashkisë Tiranë, ka lançuar përmes website-it zyrtar një pyetësor (http://mbrojtjakonsumatorit.al/pyetesor/), i cili ka në fokus informimin dhe edukimin e konsumatorit kryeqytetas. Jo vetëm kaq, por përmes të dhënave që do të gjenerohen, institucioni vendor kërkon të kuptojë se sa të informuar janë qytetarët, lidhur me problematikat që prekin direkt ose indirekt përditshmërinë e tyre. Rëndësi ka dhe fakti që, konsumatorëve kryeqytetas t’u tregohet rruga se si dhe ku ata, mund të kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre. Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit është një nga këto dyer, ku ata duhet të trokasin. Ndaj, merr vetëm pas sekonda kohë për të plotësuar këtë pyetësor që flet në favor të konsumatorit!

http://mbrojtjakonsumatorit.al/pyetesor/