Kështu do të duken godinat e reja që do të strehojnë banorët e prekur nga transformimi i Lanës
Projekti ambicioz që synon rehabilitimin e Lumit Lana nga Ura Teknologjike [Pallati me Shigjeta] deri në kryqëzimin me Rr. “Teodor Keko” [Unaza e Re] do të sjellë nevojën për strehim të banorëve që preken nga ky projekt.
Fillimisht këto familje do të trajtohen me bonus qiraje, më pas do të hyjnë në apartmentet e rinj të ndërtuar enkas për ta.
Ndërtesat do të jenë më shumë se thjesht pallatet banimi. Ato do të jenë godinat jo vetëm për strehim, por edhe me shërbime si dhe parkim nëntokësor në administrim shtetëror.
Një video e ka postuar kryeministri Rama këtë mëngjes.
"MIRËMËNGJES 😊
dhe me pamjen e godinave që do të ndërtohen për strehimin e banorëve që shpërngulen për kapitullin e ri të transformimit të Lanës në Tiranë, por edhe apartamenteve për strehim social, shërbime e parkim në administrim shtetëror, ju uroj një ditë të mbarë".
Projekti përfshin zgjatjen e dy bulevardeve kryesore, "Gjergj Fishta" dhe "Bajram Curri", të cilat do të shtrihen paralel me Lanën, duke përmirësuar ndjeshëm qarkullimin dhe cilësinë e jetesës për qytetarët e Tiranës. Segmenti i ri, i cili do të shtrihet përgjatë 1.8 kilometrave, do të përfshijë edhe ndërtimin e një shtrati të ri për lumin, me qëllim eliminimin e përmbytjeve të shpeshta dhe zhvillimin urban të zonës përreth.
Ndër elementët kryesorë të këtij projekti përfshihen ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Lana, të cilat do të shërbejnë për qarkullimin e automjeteve, biçikletave dhe këmbësorëve. Urat, me një gjatësi prej 24 metrash, do të lidhen me bulevardet e zgjeruara që do të përfshijnë gjithë infrastrukturën moderne, si sinjalistika, ndriçimi, peizazhi, dhe telekomunikacioni.