Grant 300 milionë Lekë për Startupet. Ja kur mbyllen aplikimet
Për të ndihmuar sipërmarrjet e reja, inovatore, por edhe për të mbështetur dhe zhvilluar më tej kompanitë ekzistuese, Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit dhe Agjencia Startup Albania prej disa ditësh kanë hapur thirrjen për aplikim nga të gjitha bizneset që duan të përfitojnë. Granti i vënë në dispozicion nga Qeveria për këtë vit është në masën 300 milionë lekë.
Drejtori i Agjencisë Startup Albania, Arjan Ymeri tregoi në emisioni “E -ZONE” me Rajmonda Lajthia, afatet deri kur do të mund të vijojë pranimi i aplikimeve për të përfituar nga kjo thirrje, procedurën që duhet të ndiqni për të pasur një aplikim të suksesshëm, fushat ku mund të përfitoni financim për startup-in tuaj, fazat zhvillimore të tij, si dhe kriteret e pranueshmërisë dhe vlerësimit.
“Thirrja është hapur për të gjithë individët dhe subjektet. Afati për aplikimet është deri në datën 24 Mars. Aplikimi në vetvete do të bëhet në portalin “e-albania”, linkun për të cilin do ta bëjmë publik gjatë ditëve në vijim. Rekomandojmë që para se të niset me aplikimin të njiheni mirë, me Manualin e Thirrjes të shpallur në faqen zyrtare të Ministrisë së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit. Duke klikuar tek kategoria “Startup” do të njiheni me formularin e aplikimit, formularin e buxhetit, si dhe listën e dokumenteve që duhen për secilën fazë. Bashkë me linkun e portalit, do të publikojmë edhe video shpjeguese, ku tregojmë se si individët apo kompanitë duhet të aplikojnë. Gjithashtu ne po zhvillojmë sesione mentorimi individuale, ku ju mësojmë startup-eve se si duhet të aplikojnë. Përveç sesioneve individuale po zhvillojmë edhe webinare virtuale, takime fizike jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe, ku tregojmë specifikisht se si duhet të mbushen fushat e formularit dhe si të bëhet aplikimi në portalin e-albania”, sqaron Ymeri.
Sipas tij, një nga veçoritë e thirrjes së këtij viti ka të bëjë me faktin se është fondi më i lartë i alokuar ndonjëherë nga qeveria për këtë grup sipërmarrësish, plot 300 milionë lekë që do të ndahen tek kompanitë startup të fokusuara në tre faza zhvillimi. “Fokusi është tek sipërmarrësit në përgjithësi dhe këtu nuk flasim vetëm për ata që janë të rinj, mund të jenë të çfarëdolloj moshe, teknologjie, industrie. Ne duam të kemi një larmi aplikimesh, nga të gjitha industritë e mundëshme”, vë në dukje Ymeri.
Për thirrjen e këtij viti gjashtë janë fushat ku do të fokusohet mbështetja me financim, si: Turizmi, Agrobiznesi, ICT, BPO, Energjia dhe Prodhimi. Por edhe nëse jeni jashtë këtyre fushave do të mund të aplikoni për të përfituar nga grantet. Ymeri thekson se të gjithë do të jenë të barabartë në aplikim. I vetmi favorizim që do të bëhet në thirrjen e këtij viti, është bonusi 5 për qind mbi pikët e marra në vlerësim, për rastet e kompanive që kanë mbi 51 për qind të punonjësve femra.
Lidhur me fazat e zhvillimit të startupit dhe dukumenteve që duhen, kreu i Agjencisë Startup Albania shton se: Fasha e parë që përfshin konceptimin e idesë financohet deri në 1.5 milionë lekë. Në këtë fashë për individët aplikues nuk ka nevojë që të jenë të regjistruar, apo të kenë të zhvilluar një biznes. Mjafton që të shpjegojnë qartë se cila është ideja për të cilën duan të bëjnë biznes. Në këtë fazë, për individët kërkohet vetëm një dokument, që është dokumenti i gjenjdes gjyqësore të aplikuesit. Mbulimi i kostove në këtë fazë do të jetë 100 përqind nga granti i fituar.
Për fashën e dytë që financohet deri në 4.5 milionë lekë, aplikuesi duhet të jetë një biznes i regjistruar që ka një prototip të zhvilluar me disa të dhëna specifike që mbase nuk ka dalë në treg ende, por është shumë afër dhe ka nevojë për ta zhvilluar më tej dhe për të gjeneruar klientët e parë. Fasha e tretë është rasti i një kompanie që ka dalë në treg, ka një tregti deri diku të matshme nëpërmjet një bilanci. Synimi i financimit të fashës së tretë që shkon deri në 9 milionë lekë është zhvillimi i mëtejshëm i këtyre kompanive, tashmë jo vetëm brenda tregut shqiptar, por edhe jashtë kufijve të vendit.
“Në fazën e dytë dhe të tretë, do të bëhet një rishikim administrativ, që ka të bëjë me krijimin e kompanisë dhe kryerjen e detyrimeve tatimore. Përtej kësaj, do të kalojmë në komsionet e vlerësimit ku do të shikojmë formularin e thirrjes dhe formularin e buxhetit të plotësuar”.
Për thirrjen e këtij viti, ka disa kosto që janë të pranueshme dhe të papranueshme në aplikimet që do të bëhen nga startup-et. “Tek ato të pranueshmet ne këtë herë kemi vendosur kostot e pagave të punonjësve deri në 25 për qind të grantit. Këtu mund të paguhen ekspertët që mund të marrin, qoftë ekspertë në fushën e teknologjisë, tregut apo marketingut. Ndësa kostot e papranueshme janë ato që ne i quajmë kontribute në natyrë, që janë për fazën dytë dhe të tretë. Për këto, duhet të jetë një kapital i hedhur nga vetë kompanitë që në fazën 2 është 10 përqind, ndërsa në fazën e tretë 15 përqind. Çka do të thotë se për fazën e dytë 90 për qind e kostove do të mbulohen nga granti i qeverisë dhe vetëm 10 për qind nga vetë kompania, ndërsa në fazën e tretë 85 për qind e kostove do mbulohen nga granti dhe 15 për qind nga vetë subjekti fitues”, shton Ymeri.
Nëpërmjet thirrjes së këtij viti do të mund të përfitojnë financim 55-75 subjekte.