Ekspertët rrugorë: Ndalimi i mjeteve të rënda ka sjellë reduktim të trafikut në Tiranë me 40%

Vendimi i Bashkisë së Tiranës për të ndaluar gjatë ditës qarkullimin e mjeteve të tonazhit të rëndë, ka sjellë reduktim të trafikut me 40%. Në një intervistë për Euronews Albania, specialisti i menaxhimit të trafikut urban në Policinë Rrugore, Gerhard Baka deklaroi se nga ora 7 deri në 9 të mëngjesit janë ndaluar edhe automjetet për transport të mallrave, për të shmangur trafikun në kryeqytet.
“Ka një përmirësim edhe në ndotjen e mjedisit, pasi mjetet e tonazhit të rëndë çlirojnë më shumë dioksid karboni sesa veturat”, tha z. Baka.
Ndërsa, Shefi i Sektorit të Qarkullimit në Policinë Bashkiake, Gentian Vocaj deklaroi se situata e trafikut në Tiranë tani është më e lehtësuar në krahasim me muajin dhjetor apo nëntor.
“Këto autorizime janë dhënë për firmat e ndërtimit, të cilat kanë leje për të ndërtuar në qytetin e Tiranës dhe për të gjithë betonierët apo kamionët që operojnë në këto ndërtime”, u shpreh ai.