Qyteti

Dita e Tokës, Veliaj: E mbyllim këtë sezon me 114 mijë pemë të mbjella 

Dita e Tokës, Veliaj: E mbyllim këtë sezon me 114 mijë

Në Ditën e Tokës, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, iu bashkua aksionit për mbjelljen e rreth 100 pemëve të reja pranë Parkut të Liqenit. Ai tha se këtë sezon janë mbjellë 114 mijë pemë, falë ndihmës së fëmijëve, që e kanë përqafuar këtë nismë që në ditët e para, por edhe bizneseve të ndryshme që dhurojnë pemë për qytetin.

“Ç’kënaqësi e madhe të kthehesh në Ditën e Tokës në një vend ku shënjohet shembulli më i madh i transformimit të Tiranës. Ky territor ku jemi, sot ka mijëra pemë, por dikur ishte i tëri i pushtuar me kioska, digjej plastikë, ishte një tokë djerrë, që përshkohej tej e tej nga kanalet e ujërave të zeza. Ishte një mrekulli e lënë në harresë, një zonë e pakalueshme për pjesën më të madhe të qytetarëve, duke filluar nga diga pranë Kopshtit Zoologjik, e deri tek disa nga shkollat private në anën tjetër të Liqenit. Fakti që sot kemi dyfish më shumë hapësirë tek Liqeni, dhe fakti se kemi thyer një rekord me mbjelljen e 114 mijë pemëve, na bën të ndihemi shumë krenarë”, u shpreh Veliaj.

Dita e Tokës, Veliaj: E mbyllim këtë sezon me 114 mijë

“E di që Tirana ka shumë nevojë për 1 milion apo 2 milion pemë, por kjo nuk arrihet po nuk mbollëm nga 100 mijë çdo vit. Falë miqve, shokëve edhe ortakëve të mi më të mëdhenj, që janë të gjithë fëmijët e Tiranës, kemi emancipuar jo vetëm klasat dhe shkollat, por sidomos prindërit dhe familjet, dhe kjo është prova e asaj se çfarë bën dora e njeriut kur mobilizohet. Pas kësaj, edhe ata që kanë një përgjegjshmëri sociale thonë, “patjetër, do kujdesemi për qytetin”. Në 7 vite radhazi kemi mbjellë sistematikisht mbi 100 mijë pemë në vit dhe jemi duke iu afruar objektivit 1 milion pemë, për të prodhuar më shumë oksigjen për Tiranën,” tha kryebashkiaku.

Dita e Tokës, Veliaj: E mbyllim këtë sezon me 114 mijë

Veliaj e quajti të mbyllur sezonin dhe ftoi qytetarët të shikonin nga afër pemët që i janë shtuar liqenit.

Dita e Tokës, Veliaj: E mbyllim këtë sezon me 114 mijë

“Stinën e mbjelljeve për këtë vit e konsiderojmë të mbyllur, për ta hapur përsëri në fund të tetorit apo fillim të nëntorit, për të rinisur një garë me veten tonë për të mbjellë më shumë se 114 mijë e për t’u siguruar të kapim planin për t’I shtuar Tiranës 2 milion pemë deri në 2030. Kush është skeptik e cinik dhe mendon se këto janë histori për shoë dhe shitmendje në rrjetet sociale, e ftoj të vijë nga Liqeni, të kujtojë si ishte përpara disa vitesh e t’i shohë, në dashtë edhe t’i numërojë pemët, sepse them se vetëm puna flet më shumë sesa çdo fjalim dhe se çdo debat i kotë që na humbet kohë,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.