Certifikata mirënjohjeje për vullnetarët më të dedikuar të vitit
Dy gjimnazistët, Reivis Qoku nga shkolla “Ismail Qemali” dhe Kejsi Zeraliu nga gjimnazi “Sami Frashëri”, janë shpallur vullnetarët e vitit 2023. Në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shpërndau certifikata mirënjohje për të rinjtë, të cilët i kanë kushtuar kohë shoqërisë dhe komunitetit.
Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për vullnetarët më të përkushtuar të vitit, Veliaj tha se Tirana është një shembull i mirë i vullnetarizmit, çka e ka treguar në raste fatkeqësish natyrore, si tërmeti apo pandemia.
“Të qenit vullnetar nuk është çështje e një vendi që ka apo e një vendi që s’ka të ardhura, nuk është as çështje e mundësive të atyre që kanë shumë para, apo pak para. Vullnetarizmi nuk del kurrë nga moda dhe unë jam super krenar për secilin prej jush, që i ka dhënë një orë, një ditë, një javë, apo qoftë edhe një aktivitet të vetëm si vullnetar Bashkisë së Tiranës dhe qytetit tonë,” u shpreh Veliaj.
“Është shumë e rëndësishme të dilni mirë në mësime – ajo është detyra juaj kryesore, por unë besoj se përveçse të jeni nxënës i mirë, të qenit një djalë, një vajzë e mirë, që qenit një qytetar i mirë është po aq e rëndësishme. Vitin tjetër do të kemi prapë nevoja në qendrat tona sociale, në shtëpitë e fëmijës, ndaj e mirëpresim ndihmën tuaj, edhe për ndihmuar personat me aftësi të kufizuara, gjyshër e gjyshe që kanë nevojë për dashuri e respekt dhe mirënjohjen që vjen nga zemra juaj,” shtoi Veliaj.
Nxënësit që morën certifikata mirënjohje u shprehën mirënjohës për këtë vlerësim. “Jam shumë i lumtur dhe vërtet Mirënjohës! Ishte mënyra më e bukur për të përmbyllur këtë fundvit dhe pas kësaj të sotmes nuk e vë në diskutim që veprimtaria e angazhimi im në punët vullnetare do jetë edhe më i madh,” tha Reivis Qoku. “Është një vlerësim shumë i madh të jem një ndër vullnetaret më të mira të vitit 2023 dhe patjetër që kjo tregon që do të vijojmë me të njëjtin ritëm dhe me kontributin tim të madh,” u shpreh Kejsi Zeraliu.
Kjo ditë është caktuar nga Asambleja e Përgjithshme OKB-së në vitin 1985 dhe u dedikohet të gjithë vullnetarëve të shumtë anembanë botës.