Qyteti

Bashkia emërton 4 rrugë në Tiranë me emrat e policëve të vrarë në aksionin për kapjen e Dritan Dajtit

Bashkia emërton 4 rrugë në Tiranë me emrat e policëve

Në verën e 2009-s, efektivët e policisë Fatos Xhani, Kastriot Feska, Saimir Duçkollari dhe Altin Dizdari do të humbisnin jetën në krye të detyrës në aksionin për të arrestuar Dritan Dajtin pranë plazhit "Iliria" në Durrës.

Bashkia e Tiranës ka vendosur që t’i nderojë 4 dëshmorët e atdheut duke emërtuar 4 rrugë të reja në kryeqytet si vlerësim për sakrificën e tyre sublime për të garantuar zbatimin e ligjit.
Lajmin e bëri të ditur Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak.

“Nga Drejtori i Policisë së Republikës së Shqipërisë, Gledis Nano, kemi marrë një propozim për të emërtuar në kryeqytet një kryqezim me 4 rrugë në emër të katër Dëshmorëve të Policisë të rënë në një aksion. Ka qenë një aksion për të cilin ende flitet dhe ende ka diskutime. Këta punonjës të policisë ranë në një aksion për të kapur një organizatë kriminale. Është një kryqëzim i ri në Njësinë 1, aty ku është një rreth rrotullimin i madh, ku kemi bërë një investim të ri të zgjerimit të Lanës. Do jenë këto 4 akse që puqen në këtë kryqëzim të ri që do marrin emrat e këtyre katër dëshmorëve të atdheut”, tha Veliaj.

Ai shtoi se misioni i tyre do të kujtohet përjetësisht si shembull i guximit dhe vullnetit, deri në vetëflijim, për të mirën e përgjithshme dhe për një ideal të lartë, siç është lufta ndaj krimit dhe së keqes.

Tiranapost.al