Politikë

Zgjedhjet/ Celibashi: Brenda 48 orësh del rezultati i partisë fituese, por për kandidatët duhet 1 javë

Zgjedhjet/ Celibashi: Brenda 48 orësh del rezultati i partisë fituese,

Brenda 48 orëve pas zgjedhjeve të 25 Prillit, do të mësohet se cila parti do të qeverisë vendin për 4 vitet e ardhshme. Këto janë pritshmëritë e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Në intervistën për Report, ai thotë se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve për partitë politike dhe nga sa mandate kanë fituar do të dalë brenda 48 orëve. Ndërsa lidhur me kandidatët fitues për çdo qark, lista e plotë e tyre do të marrë më shumë kohë: Nga 6 ditë deri në një javë.

"Procesi i rezultatit është e përcaktuar në kodin zgjedhor, brenda 48 orëve të kemi rezultatin për subjekte zgjedhore dhe numrin e mandateve për çdo subjekt zgjedhor. Procesi për kandidatë fitues do të marrë edhe rreth 6 ditë deri në një javë. I gjithë procesi i vlerësimit të fletëve të votimit do të filmohet''.

Celibashi tha se do të ketë kamera vëzhguese në 5199 qendrat e votimit dhe se fshehtësia e votës është e siguruar dhe nuk do të kapet nga kamerat e vëzhgimit, por do të filohen të gjitha hyrje daljet në qendrat e votimit dhe çdo detaj tjetër. Këto materiale do të përdoren nëse do të ketë kontestime nga ndonjë parti për rezultatin e zgjedhjeve:

"Në qendrat e votimit nuk do të vëzhgojnë procesin e votimit të votuesve. Siguria e fshehtësisë së votës do të jetë e sigurt 100 % , por kamerat do të filmojnë hyrje daljet në qendrat e votimit dhe më pas këto filmike do të shërbejnë nëse do të kenë kontestime. Në të gjithë qendrat e votimit do të vendosim kamera vëzhgimi. Kur të shpërndahet baza materiale e votimit do të dorëzohen edhe kamerat vëzhguese që do të jenë lehtësisht e instaluar dhe thjeshtë do të vendoset në një pozicion të caktuar të qendrës së votimit duke mos cenuar fshehtësinë e votës", tha Celibashi.

*Tiranapost.al.