Politikë

Vuçiç dërgon ushtrinë në kufi me Kosovën

Vuçiç dërgon ushtrinë në kufi me Kosovën

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, firmosi një urdhër për të vendosur në gjendjen më të lartë të gatishmërisë forcat ushtarake dhe i urdhëroi ato të zhvendosen menjëherë në drejtim të kufirit me Kosovën.

Ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç tha se urdhri ishte lëshuar pak pas orës 14:00, dhe se ushtria kishte nisur aktivitetet nga ai moment. Vuçeviç paralajmëroi se ngjarjet në veriun e Kosovës, ku siç tha qeveria po merr kontrollin e ndërtesave të qeverisjes lokale, nuk janë një lojë, por se po kërcënohet siguria e të gjithëve në rajon.

Tensionet janë shumë të larta në veri të Kosovës, në ditën kur kryetarët e rinj të katër komunave duhej të nisnin zyrtarisht punën. Situata më problematike është raportuar në Zveçan, që ka një popullatë shumicë serbe, ku policia e Kosovës është detyruar të përdorë gaz lotsjellës dhe bomba tymosëse për të shpërndarë qytetarët e grumbulluar pranë godinës komunale.