Politikë

Veliaj në Rrogozhinë: S’ka kohë për pushim! Ne vizatojmë ëndrrat ata na risjellin makthet

Veliaj në Rrogozhinë: S’ka kohë për pushim! Ne

Nga Rrogozhina, drejtuesi politik i Partisë Socialiste të Tiranës, Erion Veliaj, ka deklaruar se për këtë forcë politike nuk ka asnjë ditë pushim, pasi ashtu si në çdo familje shqiptare edhe në familjen e madhe socialiste funksionojnë rregulli për të mos i lënë punët përgjysmë. Së bashku me dy kandidatët e Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj dhe Ornaldo Rakipi, Veliaj tha se edhe vetë qytetarët e dallojnë tashmë cila është partia që punon me zemër për njerëzit dhe kush po bën vetëm zhurmë.

“Si mendoni ju, i fiton zgjedhjet kush ka makinën më të madhe, apo kush ka projektet më të mëdha për vendin dhe për njerëzit? Si mendoni, i fiton zgjedhjet kush ka borinë më të fortë, apo kush ka kurajën dhe zemrën për t’i çuar punët deri në fund? I fitojnë zgjedhjet ata që bëjnë punë, apo ata që bëjnë zhurmë? Fitojnë ata që flenë gjumë, apo ata që janë non stop në krye të punëve vendit si Edi Rama dhe Partia Socialiste? – u shpreh Veliaj.
Kreu i fushatës së Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës deklaroi se çdo familjar i rregullt, që nuk ka 4-5 vila sa Luli e kunati funksionon sot me të njëjtin parim: “Nëse në familjet tona funksionon kjo logjikë, funksionojnë këto parime, funksionon rregulli për të mos i lënë gjërat, por t’i çojmë deri në fund, edhe në familjen tonë të madhe socialiste funksionon e njëjta logjikë: T’i çojmë gjërat deri në fund, se nuk ka kohë për pushim”.

Veliaj tha se, ndërsa Partia Socialiste po vizaton sot ëndrrat e viteve të ardhshme, e shkuara kërkon të na rikthejë te vitet e mbrapshta dhe makthet e të gjithë shqiptarëve.

“Kur ne jemi duke folur për Portin e Jahteve, ata janë duke kërcyer sipër makinave si në vitet ‘96-97, përrallë nga e kaluara, komplet kujtimet për makthet e atyre viteve. Ndërkohë, Partia Socialiste po vizaton ëndrrat e viteve që do vijnë. Aeroporti i Kukësit, nisi si ëndërr por sot është realitet,” u shpreh ai.

*Tiranapost.al.