Politikë

Veliaj: Në PD e dinë që me Saliun dhe Ilirin nuk fitojnë kurrë

Veliaj: Në PD e dinë që me Saliun dhe Ilirin nuk fitojnë

Nga Synej i Kavajës, qytetit ku Sali Berisha ka dalë deputet, Erion Veliaj bëri një deklaratë të fortë kur tha se ish-kryeministri do të humbë thellë këtë herë, edhe brenda llojit të vet, sepse të gjithë në PD e kanë mësuar se me Saliun dhe Metën nuk fitojnë kurrë.

“Që Partia Demokratike do humbë, këtë nuk e luan as topi, por që Saliu do dalë edhe më keq se Luli e Grida, jam gati të vë bast që sot, sepse mendoj që edhe brenda PD do ketë reflektim. Do ketë humbje e humbje! Do humbasin me ne, por edhe brenda llojit të vet. Saliu nuk do jetë më njëshi, sepse edhe ata vetë e kanë kuptuar që po i mban peng. Ata kanë kuptuar se Luli është vetëm një kukull që kurdiset në Lalëz, një marionetë që rrotullojnë me spango. Njerëzit e dinë, edhe PD e di, që sa më shumë merret Saliu dhe Iliri me ta, aq më të destinuar janë të humbasin. Kjo është shumë e qartë,” deklaroi Veliaj.

Ai ka deklaruar se fushata cinike e Partisë Demokratike dhe hipokrizia me qytetarët, që nuk i ndihmoi kur kishin nevojë, janë dy prej fakteve më kokëforta se veprat vlejnë më shumë se fjalët.

“Sa i paguan “Range Rover” këta të PD-së që kanë rreshtuar makina secili nga 100-200 mijë euro dhe nuk e kuptojnë që fyejnë publikun? Si mund të flasësh për varfërinë kur karvani i makinave është 2 milionë euro? Ti nuk mund të flasësh për varfërinë kur sapo le vilën në Lalëz dhe do ta mbyllësh natën te vila në Lundër! Ti nuk mund të flasësh për varfërinë kur vetëm në vitin e tërmetit shtove 5 vila! Ti nuk mund të flasësh për varfërinë kur gjithë familjen e ke në Hollandë! Nuk mund të flasësh për skamjen nëse karvani i makinave është 2 milionë euro dhe nuk dhe një kuti ushqimesh, kur njerëzit u izoluan prej pandemisë. Ne mund të flasim gjithë ditën dhe gjithë natën, se çdo socialist kur ka parë një nevojë ka përveshur mëngët dhe ka thënë “unë do ndihmoj”. Kjo është diferenca,” u shpreh Veliaj.