Politikë

SPAK akuza të reja për Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon

SPAK akuza të reja për Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon

SPAK shton akuza të reja për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe Alqi Bllakon, që tashmë ndodhen në burg aferën e inceneratorëve.

SPAK akuzon ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit për “shpërdorim të detyrës”, në bashkëpunim me ish-eprorin e tij, Lefter Koka.

Nga Hetimet rezulton se Alqi Bllako ka favorizuar kompaninë e Klodian Zotos për përfitimin e vlerës 14,964,900 lekë.

“Rezulton se administratorët e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” (ku edhe këtu shtetasi Alqi Bllako ka patur rolin e tij në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit) nëpërmjet veprimeve të kundraligjshme të tyre, e kanë pasqyruar si të punësuar shtetasin Edmond Bllako, duke bërë pagesa fiktive për shtetasin Edmond Bllako, ndërkohë që rezulton e provuar se këto pagesa janë përfitime të parregullta nga shtetasi Alqi Bllako.

Së treti, nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga shoqëritë “Integrated Technology Waste Treatment Energy” sh.p.k., (shoqëria që ka përfituar koncesionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të koncesionit) janë pranuar fatura tatimore shitjeje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer. Shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga disa shoqëri të tjera në total në vlerën vlerën e përfituar në mënyrë të paligjshme në shumën 146,083,071 (njëqind e dyzet e gjashtë milion e tetëdhjetë e tre mijë e shtatëdhjetë e një) lekë.

Gjatë hetimeve kanë rezultuar të dhëna që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shuma monetare 146,083,071 lekë që i është faturuar shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., dhe që është paguar më pas nga kjo shoqëri, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, shkruhet në njoftimin e SPAK