Politikë

Saga e Presidentit, dështojnë negociatat mes dy grupeve më të mëdha parlamentare

Saga e Presidentit, dështojnë negociatat mes dy grupeve më

Partia Demokratike ka anuluar ditën e sotme mbledhjen e Grupit Parlamentar ku do të diskutohej mbi zhvillimet për zgjedhjen e presidentit. Ishte Sekretari i grupit parlamentar, Arbi Agalliu ai që përmes një mesazhi drejtuar deputetëve informoi për anulimin e mbledhjes së thirrur nga kreu i grupit Enkelejd Alibeaj, me arsyetimin se ishte Partia Socialiste ajo që prishi paktin e para.

“Përshëndetje! Pas ndryshimit të qëndrimit të PS lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit, mbledhja e sotme e grupit nuk do të zhvillohet,” thuhej në mesazhin e dërguar deputetëve.

Menjëherë pas publikimit të lajmit kryetari i Grupit, Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit, ka akuzuar Partinë Socialiste se ka prishur konsensusin e arritur mes palëve për Presidentin, duke iu referuar një deklarate të Taulant Ballës i cili tha se propozimi për President duhet të vijë edhe me firma mbështetëse nga opozita dhe nëse nuk zgjidhet në këto raunde, në raundin 4 pastaj do të jetë radha e PS që të propozojë kandidatë.

Saga e Presidentit, dështojnë negociatat mes dy grupeve më

“Sot ka pasur një tërheqje nga ana e Partisë Socialiste. Ne do të identifikonim 4 kandidatura. PS do të zgjidhte 2 dhe më pas do të zgjidhej një kandidaturë konsensuale. Akti i fundit do të ishte që një komision i përbërë nga 6 anëtarë të shqyrtojë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bie dakord për propozimin e përbashkët të njërit prej tyre. Kandidatura më pas i nënshtrohet votimit në seancë plenare. Por PS ka thënë tashmë që kandidatura duhet të ketë vetëm firmat e PD-së,” tha Alibeaj.

"Panë emrat, panë që askënd nga ata nuk mund ta peshkonin, për këtë arsye tërhoqën bishtin ndër shalë,” shtoi ai.

I menjëhershëm në reagim ka qenë edhe kreu i Grupit parlamentar socialist Taulant Balla i cili fton PD t'i qëndrojë marrëveshjes, duke deklaruar se janë ende në kohë për të vijuar negociatat për zgjedhjen e presidentit konsensual.

Saga e Presidentit, dështojnë negociatat mes dy grupeve më

“Ne do t’i qëndrojmë marrëveshjes dhe opozita e ka mundësinë të sjellë emrat dhe të mos i çojë dëm raundet. Le të vijë edhe me më shumë emra. Ne kemi mundësi të propozojmë tre kandidatura dhe nuk po propozojmë, por presim raundin e katërt, Pra ne jemi në përpjekje serioze për mos t'i dhënë shqiptarëve një president jo të PS, pra fryma e Kushtetutës na imponon nevojën për konsensus”, tha Balla.

Për dështimin e negociatave duket së më të entuziazmuar janë anëtarët e Rithemelimit, të cilët përmes deputetit Tritan Shehu kanë ironizuar: “Me sa turp përfundon kur bëhesh një “lodër” në duart e Ramës! Ai mbasi të përdor, të flak, edhe për të të poshtëruar, gjë që në fakt këto “lodra” e meritojnë plotësisht atë”.