Politikë

Rama tregon rreziqet dhe bën krahasimin e taksës progresive me atë të sheshtë të PD: Oligarkëve medemek do u bëjnë gjëmën

Rama tregon rreziqet dhe bën krahasimin e taksës progresive me

Në programin ekonomik të PD-së premtohet taksë e sheshtë me 9%, ndërsa PS ka në qendër taksën progresive me 15 %. Ku qëndron ndryshimi mes tyre dhe pse kryeministri Rama thotë se taksa e sheshtë është rreziku më konkret për secilin prej atyre që punojnë në shtet apo në privat dhe marrin një pagë nën 1.3 milionë lekë?

Nga prezantimi i programit ekonomik, Rama tha se kur PS vendosi taksën progresive, taksimin progresiv, u hap një kapitull i ri për të ardhurat personale të 97% të të punësuarve.

‘Të cilëve, në total, u kemi lënë në xhep 12.5 miliardë lekë cdo vit, të cilat me taksën e sheshtë ua merrte shteti nga paga e tyre. Thënë ndryshe, në tetë vjet janë 100 miliardë, pra 1 miliardë dollarë, që nuk i ka mbledhur shteti nga xhepi i çdo të punësuari në Shqipëri, po i kanë mbetur çdo familjeje shqiptare’.

Rama shpjegon se me taksën 9 % të premtuar nga Basha, personat që marrin 500 e 600 mijë lekë, 9% janë shumë, ndërsa për dikë që fiton miliona, 9% nuk ndjehen fare kur shkon të blesh ushqime apo kur duhet të paguash për nevoja të tjera familjare:

‘Sfida është si t'u fusim sa më shumë lekë në xhep shumicës së shqiptarëve, që pikërisht shumica të paguajë më shumë nga paga e vet, ndërkohë që atij 3%-shit që fiton ku e ku më shumë, këta duan t'i lënë në xhep një dynja me lekë, të cilat taksa progresive ka 7 vjet që ua merr për shtetin’!

Edi Rama:

Por përpara se t'ju them sa do të rriten pagat pasi të marrim besimin tuaj në 25 prill, dua të ndalem tek rikthimi në skenë, rizbritja në fushë bashkë me skuadrën e koalicionit të KCK-së, e fantazmës kërcënuese të taksës së sheshtë. Taksa e sheshtë është rreziku më konkret, më i afërt për secilin e secilën prej atyre që punojnë në shtet a në privat dhe që marrin një pagë nën 1.3 milionë. Sepse me taksën e sheshtë 9% të gjithë ata që kanë një pagë deri në 1.3 milionë, i bie të paguajnë më shumë.

Dëgjojeni një shifër lemeritëse për cfarë ju ka bërë në të shkuarën taksa e sheshtë, atyre që paguhen më pak se 1.2 milionë dhe sidomos atyre që paguhen nën 800 mijë lekë.

Kur ne e shporrëm taksën e sheshtë dhe vendosëm taksën progresive, taksimin progresiv, hapëm një kapitull të ri për të ardhurat personale të 97% të të punësuarve. Të cilëve, në total, u kemi lënë në xhep 12.5 miliardë lekë çdo vit, të cilat me taksën e sheshtë ua merrte shteti nga paga e tyre. Thënë ndryshe, në tetë vjet janë 100 miliardë, pra 1 miliardë dollarë, që nuk i ka mbledhur shteti nga xhepi i cdo të punësuari në Shqipëri, po i kanë mbetur cdo familjeje shqiptare.

Le ta marrin e ta bëjnë vetë një llogari të thjeshtë, të gjithë ata që janë punësuar para vitit 2013, mësues, infermierë, policë, punonjës të administratës apo kamarierë, kuzhinjerë, shoferë, shitës e me radhë të tërë ata që e kanë pasur pagën nën 1.2 milionë lekë në muaj, e le ta shohin sa i linin shtetit cdo muaj atëherë nga paga dhe sa i lenë qysh prej vitit 2013 e këtej!

Dhe vijnë këta tani e u thonë Shqipëria fiton po na dhatë votën, prandaj ju do na jepni 9% taksë nga paga juaj! Ndërkohë, dëgjojeni pak, më të pasurve apo siç i quajnë këta, oligarkëve, që medemek do t'u bëjnë gjëmën, nuk do t'u marrin më 15% siç u marrim ne sot, po do t'u marrin njësoj si juve, 9%! Problemi është se juve do ju marrin më shumë, sepse për dikë që fiton 500 e 600 mijë 9% janë shumë, ndërsa për dikë që fiton miliona 9% nuk ndjehen fare kur shkon të blesh ushqime apo kur duhet të paguash për nevoja të tjera familjare.

Më falni shprehjen e lirë, kur thoshte Këthe Spiri, po ka bythë ku të rrijë ky muhabet sot, kur sfida është si t'u fusim sa më shumë lekë në xhep shumicës së shqiptarëve, që pikërisht shumica të paguajë më shumë nga paga e vet, ndërkohë që atij 3%-shit që fiton ku e ku më shumë, këta duan t'i lënë në xhep një dynja me lekë, të cilat taksa progresive ka 7 vjet që ua merr për shtetin!

*Tiranapost.al.