Politikë

Rama thotë se nuk ka hequr dorë nga rritja e çmimit të energjisë dhe kush vendos vërtet për të

Rama thotë se nuk ka hequr dorë nga rritja e çmimit të

Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar edhe njëherë çështjen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për ato familje që konsumojnë mbi fashën 800 kilovatë në muaj.

Duke folur në një intervistë në Euronews Albania me gazetaren Erla Mëhilli, Rama tha se nuk ishte aspak tërheqje e qeverisë, por se ishin 2 faktorë që çuan në shtyrjen me të paktën një muaj të këtij vendimi që gjithsesi tha ai nuk prek më shumë se 5% të popullsisë.

“Nuk kemi hequr dorë. Ka pasur dy parametra që na kanë çuar në këtë konkluzion: Shtimi i reshjeve dhe një ulje domethënëse e konsumit si rezultat i një ndërgjegjësimi nga frika e të panjohurës që ka çuar në kursim,” u shpreh Rama.

“Kjo nuk ka lidhje as me dhimbjen, as me trembjen, por për ta lexuar siç duhet,” shtoi ai.

I pyetur nëse i druhet një vendimi të kundërt të ERE-s nga ai i qeverisë dhe se kush e vendos në të vërtetë çmimin, Rama tha se “nuk është çështje vendosje çmimi, por e një politike që lidhet me domosdoshmërinë për kursim”.