Rama rrëfen bisedën me Sunak: Më shprehu keqardhjen për deklaratat e pamenduara në raport me shqiptarët

Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer sot detaje të bisedës telefonike me kryeministrin britanik Rishi Sunak. I pyetur në Konferencën për shtyp në lidhje me atë se çfarë u diskutua në këtë bashkëbisedim Rama tha se ishte Sunak ai që kërkoi të flisnin në lidhje me çështjen e emigrantëve dhe se kryeministri britanik i ka shprehur keqardhjen e tij për sa i përket deklaratave të ministres për Punët e Brendshme Suella Braverman.
Rama tha gjithashtu se u fol gjithashtu edhe për një bashkëpunim të mundshëm për të luftuar rrjetet e trafikur, por jo me mjete propagandistike u shpreh ai por me punë konkrete, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e një vizite nga Kryeministri britanik në Tiranë dhe anasjelltas.
Pyetje: - Ju keni zhvilluar një telefonatë me homologun tuaj britanik pak ditë më parë për sa i përket çështjes së emigrantëve. Për çfarë është folur konkretisht? A ka një marrëveshje të re në këtë raport?
Përgjigjja e Kryeministrit Rama:
Po është e vërtetë që kam pasur një bisedë, bashkëbisedim telefonik jo të shkurtër me kryeministrin e Britanisë së Madhe i cili më ka kërkuar vetë, më ka shprehur keqardhjen për çfarë ka ndodhur dhe ju e dini shumë mirë se çfarë ka ndodhur për shkak të deklaratave të pamenduara e të lëshuara qesim, siç i themi ne këtej nga fshatrat e Tiranës, në raport me shqiptarët dhe kemi diskutuar për këtë çështje, por jo vetëm për këtë çështje.
Nuk është folur për asgjë të re, thjesht për të bashkuar forcat më shumë për t’u organizuar më mirë dhe unë kam përsëritur të njëjtën gjë që ia kam përsëritur të gjithë paraardhësve të tij, qysh se unë jam në këtë detyrë, lidhur me sesi, sipas nesh, bëhet e mundur një luftë efikase, jo propagandistike, por efikase, kundër këtyre rrjeteve të trafikut që shfrytëzojnë nevojën e njerëzve për t’u larguar dhe nga ana tjetër, edhe lidhjet.
Nga ana tjetër, kemi folur për forcimin e marrëdhënieve bilaterale, jo në mënyrë kështu diplomatike ose formale, por në mënyrë konkrete dhe shpresoj që së shpejti do kemi dhe një këmbim vizitash. Nuk ka ndodhur asnjëherë që një kryeministër i Britanisë së Madhe të vijë këtu për një vizitë bilaterale. Ka ardhur kryeministri Blair, por ishte për të mbështetur këtu në territor gjithë përpjekjen për mikpritjen e emigrantëve të luftës nga Kosova dhe nga ana tjetër, në kujtesën time nuk ka pasur asnjë vizitë bilaterale zyrtare. Mbase do të ndodhë këtë herë.