Rama pyetet për fatin e Arben Ahmetaj dhe takimin me Tom Doshin. Ja si përgjigjet

Pas mbledhjes së qeverisë, në konferencën me gazetarët Kryeministri Edi Rama është pyetur përse u hoq nga të gjitha funksionet Arben Ahmetaj(Pas heqjes nga posti si zëvendëkryministër, ditën e djeshme në mbledhjen e kryesisë u hoq edhe si drejtues i qarkut të Vlorës). Rama u përgjigj se qeveria është në të drejtën e saj për të bërë ndryshime.
"Këto janë përralla. Ju jeni në të drejtën tuaj që t’i tregoni përralla popullit pas çdo vendimi. Ndodh këtu edhe kudo në botë në emër të lirisë së medias spekulojnë deri në ekstrem. Është e drejta juaj, nuk di ç’t'ju them. Zoti i paftë të gjitha. Ne jemi në të drejtën tonë për të bërë ndryshime administrative, për të lëvizur. Se si organizohet një skuadër është e drejta e skuadrës dhe nuk është e drejta tifozëve për ta vendosur. Pse duhet të ketë bërë diçka dikush për të lëvizur nga një pozicion, pse nuk është shumë më e thjeshtë se kaq, për arsyet se dikujt i duhet gjetur një pozicion ku të japë maksimumin në një rrugë të re bëhen dhe organizime në rrugë të tjera"
Një pyetje tjetër ishte për Tom Doshin, Ish-deputetin e shpallur non-grata, i cili sot është filmuar teksa futej në kryeministri. Kryeministri Edi Rama dha një përgjigje ku nënkuptoi se nuk ishte takuar me të dhe se nuk kishte ide për të gjithë njerëzit që hyjnë e dalin në godinën e Kryeministrisë. E plotë përgjigja e tij: Nuk kam asnjë dijeni për këtë, se kush hyn e kush del në gjithë këtë godinë nuk është fare detyra ime. Unë kam pjesën time të punës. Se kush hyn e kush del ndoshta është detyra juaj ta përgjoni, nuk është detyra ime t’i kontrolloj.