Politikë

Rama prezanton planin ekonomik: Paga mesatare do rritet në 850 mijë lekë në muaj. Për deputetët asnjë qindarkë më shumë

Rama prezanton planin ekonomik: Paga mesatare do rritet në 850 mijë

Kryeministri Edi Rama prezantoi planin ekonomik të PS-së, ‘Vizioni 2030’ lidhur me pagat, taksat, bizneset dhe planin e veprimit 2021-2025. Ai tha se shqiptarët me 25 prill do jenë përballë atyre me një vizion për Shqipërinë e vitit 2030 dhe një programi elektoral i njëjtë si sot 30 vjet.

Këto janë pikat kryesore të programit ekonomik të PS:

-Sot ne e kemi pagën minimale 300 mijë lek, 50% më shumë se sa c'ishte kur morëm detyrën. Është më shumë se c'ishte sigurisht, po natyrisht nuk mjafton. Plani ynë është që ta rrisim cdo vit dhe të arrimë padiskutim në 380 mijë, por duke synuar 400 mijë në mbyllje të mandatit të tretë. Ata thonë do ta cojnë 360 mijë, ka shumë mundësi që deri në 25 prill ta rrisin 420 mijë; sepse fundja ata nuk kanë një plan për të qeverisur, po thjesht një program për t'i sajdisur për vota të tërë.

-Ne jo vetëm do të synojmë pagën minimale 400 mijë lek, pra 400 dollarë në muaj në fund të mandatit të tretë, po duke nisur nga 1 janari 2022, ne do të heqim taksën mbi pagën aktuale deri në 400 mijë lek. Ky është planifikim financiar, jo premtim elektoral. Duke nisur nga viti i ardhshëm, 63% e të punësuarve në Shqipëri, që marrin sot nga 300 deri në 400 mijë lekë, nuk do të kenë taksë mbi pagën.

-Nga ana tjetër, ne e dimë shumë mirë se ka një kategori më të lartë të punësuarish, të cilët për shkak të punës së kualifikuar që bëjnë, marrin mbi 1.5 milionë lek në muaj dhe hyjnë në fashën e lartë të taksimit progresiv, me 23% tatim mbi pagën. Ne do ta shtyjmë më lart fashën e taksimit 23% mbi pagën dhe do ta ulim tatim fitimin për të gjithë ata që marrin deri në 2.5 milionë në muaj. Edhe kjo masë lehtësuese për këtë kategori të punësuarsish, do të hyjë në fuqi në 1 janar 2022.

-E kemi rritur pagën mesatare në Shqipëri nga 580 mijë në 720 mijë lekë. Do ta rrisim më tej në mandatin e tretë: 850 mijë lekë në muaj.

-Në mandatin e tretë, pagat e mësuesve do të rriten edhe 40% më shumë, e po ashtu edhe ato të bluzave të bardha, që kanë njohur rritjen më të lartë historike në këtë mandat, do të rriten përsëri 40%!

-30% do të rriten edhe pagat e punonjësve të administratës publike, ndërkohë që pagat e qeveritarëve e të parlamentarëve, as janë rritur qysh nga viti 2013 dhe as do të rriten asnjë qindarkë deri në vitin 2025.

-Taksa për 100 mijë biznese të vogla, ku janë të punësuar sot 150 mijë shqiptarë do të mbetet zero me Partinë Socialiste deri në vitin 2029.

-Bizsneve të vogla që deri në vitin 2013 paguanin taksë të sheshtë 10%, me përgjysmimin e taksës qysh ditën e parë të qeverisjes sonë, u kemi kursyer plot 200 milionë dollarë. Të cilat më parë shkonin në arkën e shtetit. Sot kur fantazma e taksës së sheshtë është rishfaqur, u them atyre të bëjnë kujdes shumë në 25 prill, pavarësisht premtimit andej nga tramvaji, për t'ua bërë taksën 0.5%!

Kryeministri Rama tha se nuk mjafton me vetëm hapjen e vendeve të reja të punës, por më shumë vende pune me paga të larta në sektorin privat.

‘Dhe do ta bëjmë, duke cuar përpara projektet e reja në turizëm, në shërbimet digjitale, në prodhimin Made in Albania e me radhë.. Duhet ta bëjmë duke përmirësuar më tutje klimën e biznesit dhe rritur investimet e huaja që krijojnë zinxhir vlere... Duhet ta bëjmë duke fuqizuar më tutje arsimin profesional... Duhet dhe do ta bëjmë së bashku, me punë, këmbëngulje e durim të madh. Shqipëria duhet e do të bëhet e ardhmja jonë. Kjo dekadë duhet e do të jetë dekada e përfundimit të një kthese të madhe, historike, që ka filluar e që nuk duhet asrsi të ndërpritet’.

*Tiranapost.al.