Politikë

Rama reagon për 'Targat': Kosova e ngre me të drejtë problemin. Ç'duhet të bëjë Serbia, kërkesa edhe për BE

Rama reagon për 'Targat': Kosova e ngre me të drejtë

Tensionet Kosovë-Serbi vijojnë edhe sot. Ditën e djeshme qeveria e Kosovës mori vendimin që shoferët nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të ndërrojnë përkohësisht apo të mbulojnë targat e tyre pas hyrjes në territor. Ky është një vendim reciprok, thotë kryeministri Albin Kurti, pasi Serbia e ka vendosur këtë masë me qytetarët e Kosovës që udhëtojnë në Serbi prej më shumë se 10 vitesh, si pjesë e një marrëveshje të 2011-ës nga BE.

Kryeministri Rama, ka treguar qëndrimin e tij në këtë çështje duke bërë edhe një krahasim me tarifën 100% që vendosi qeveria në kohën e Ramush Haradinaj ndaj mallrave serbe, që sipas reagimit të Ramës në 2020-ën vetëm sa shkatërron reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës. Madje i bëri edhe një thirrje Albin Kurtit të heqë taksën 100 % me mallrat serbe dhe një vendim i tillë u mor, më 27 shkurt të 2020-ës.

Në statusin e sotëm në Twitter Rama thotë se Kosova e ngre problemin me plot të drejtë: Por duhet të shmanget bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë: Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë dhe BE të ndërmjetësojë.

Kryeministri Edi Rama:

Kosova e ngre problemin me plot të drejtë.Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%).Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë.

Rama reagon për 'Targat': Kosova e ngre me të drejtë

Zhvillimet e fundit në Kosovë:

Albin Kurti nuk tërhiqet. Kryeministri i Kosovës ka deklaruar se vendimi për targat, në formë reciprociteti ndaj Serbisë nuk është provokim dhe as diskriminim. Gjatë një takimi sot me ambasadorët e vendeve të Quint-it, SHBA, Francë, Gjermani, Itali dhe Britani, si dhe shefin e misionit të BE-së në Kosovë, Kurti ka thënë: ose Serbia dhe Kosova kanë të drejtë, ose të dyja e kanë gabim: Pra, ose do t’i mbajnë ato lloje targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato – edhe Kosova edhe Serbia! Mediat e Kosovës citojnë Albin Kurtin të ketë thënë në takim: “Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura, ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajnë ato lloje targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato – edhe Kosova edhe Serbia”. Por mbetet e paqartë cili ka qenë qëndrimi ndërkombëtar, ndonëse nga BE është kërkuar që tensionet të ulen. Në takim mori pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se policët e Kosovës po bëjnë detyrën dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

*Tiranapost.al.