Politikë

Rama: Mbështetje financiare për sportistët elitarë

Rama: Mbështetje financiare për sportistët elitarë

Në ceremoninë e nderimit të 7 sportistëve elitarë, Kryeministri Edi Rama u shpreh se do të ketë mbështetje financiare për të gjithë sportistët që do të kenë nevojë për stërvitje speciale. Sipas tij aktualisht ekziston një politikë financiare që i fut sportistët elitarë në nivelin e parë europian sa i takon mbështetjes financiare.

“Sot këtu unë dëshiroj që këta shembuj që i kemi mes nesh t’i çmojmë sa më shumë dhe jo vetëm një ditë, por gjatë gjithë ditëve, gjatë gjithë karrierës së tyre, por në këtë ditë t’i vlerësojmë me yjet e mirënjohjes publike të cilët janë një shprehje e admirimit, respektit dhe e mirënjohjes për gjithçka ju bëni për Shqipërinë dhe për shoqërinë.

Këtu me këtë rast, dua të shtoj gjithashtu se ne jemi shumë të vendosur që ta zhvillojmë mbështetjen për sportistët elitarë, njëkohësisht me mbështetjen për lëvizjen sportive në shkolla. Janë dy binarë në të cilët ne do të vazhdojmë të çojmë para sportin duke marrë në konsideratë nevojat e sportistëve elitarë, jo vetëm të kampionëve, por dhe të atyre që kanë potencialin për t’u kthyer në kampionë,” – u shpreh Rama.