Politikë

Rama konfirmon kandidimin edhe në Durrës për zgjedhjet e 25 Prillit

Rama konfirmon kandidimin edhe në Durrës për zgjedhjet e 25

Kryeministri Rama konfirmoi ditën e sotme se do të jetë në listën e Durrësit për zgjedhjet e 25 Prillit. Teksa fliste me anëtarë të rinj në PS të cilët janë finalistë të zgjedhur përmes platformës Deputeti që Duam, Rama tha se do jetë pjesë e skadrës së qytetit bregdetar.

‘Unë do të jem pjesë e skuadrës edhe në Durrës dhe ky mandat i tretë do të ketë vëmendje të veçantë për Durrësin si porta kryesore e Mesdheut në Shqipëri, si një pol i pazëvendësueshëm ekonomik së bashku me Tiranës, si një potencial i pashfrytëzuar shfrytëzimi për gjithë Shqipërinë dhe si vendi ku na duhet të fitojmë sfidën e madhe e zhdukjes së pasojave e tërmetit. Sot jemi në një udhëkryq mes të ardhmes dhe të shkuarës në një punë që vazhdon, një unë që duhet kryer dhe askush nuk e bën më mirë se në dhe pse ne nuk jemi më të mirët’.

Më herët ai ka konfirmuar edhe kandidimin në qytetin e Vlorës. Duke folur nga Vlora me 25 shtator, kryeministri tha: 'Në Vlorë kam qenë kur nuk kam qenë kryeministër dhe do të jem edhe nëse nuk do të jem më kryeministër'.

Ndërkaq, kreu i PS-së, tha se boshti i skuadrës kombëtare të PS për zgjedhjet e 25 Prillit do të jetë nga grupi aktual parlamentar, ndonëse lista zyrtare pritet të bëhet publike me 6 mars.

‘Grupi im parlamentar ka shumë profile të përshtatshme për çdo rol dhe gjatë këtyre viteve ka krijuar një bagazh eksperience të vyer që assesi nuk mund të neglizhohet. Është një grup që ka mbajtur ngarkesa të mëdha, momente të caktuara, krejt të pazakonshme për vetë dinamikën e jashtëzakonshme të jetës parlamentare, ku momentet e rënda të tensionit kanë qenë të shpeshta dhe të gjata. Grupi ka qenë vijimisht solid dhe mbështetës për reformat, për vendimmarrjet e vështira dhe për çuarjen përpara të punës përpara. Ky grup do të jetë boshti i skuadrës sonë kombëtare të 25 prillit. Skuadra duhet të jetë në lartësinë e sfidës të ripërtëritjes me lojtarë të rinj, me vajza e djem, gra e burra që sjellin energji të reja, profile të reja, përfaqësuese të një shoqërie që ndryshon me shpejtësi’.

*Tiranapost.al.