Politikë

Rama: Sulmi ndaj zhvilluesit të Portit të Durrësit, më i neveritshmi që ka prodhuar politika

Rama: Sulmi ndaj zhvilluesit të Portit të Durrësit, më i

Kryeministri Edi Rama ka folur sërish mbrëmjen e sotme për Projektin e Portit Turistik të Durrësit, marrëveshja për të cilin kaloi një ditë më parë me procedurë të përshpejtuar në parlament.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, Rama është përgjigjur për gazetarët mbi të gjitha pikëpyetje, por sidomos akuzat e opozitës ndaj këtij projekti të qeverisë:

Unë kam parë shumë gjëra të shëmtuara, burim neverie në historinë politike shqiptare dhe kjo është një nga më të shëmtuarat: marrja nëpër gojë në mënyën më skizofrenike, më të paturpshme e një personaliteti të ekonomisë globale, një ndër kompanitë e të cilit është e regjistruar në Abu Dabi, ka selinë në kullën më të lartë të Abu Dabit, një personalitet që ka ndërtuar gjysmën e Dubait dhe që vjen këtu jo se s’ka punë, jo se s’ka ku shkon tjetër, po si rezultat i një marrëveshjeje partneriteti me Emiratet e Bashkuara në një moment tejet të vështirë, kur unë shkova për të diskutuar mundësinë e mbështetjes për familjet e goditura nga tërmeti në Durrës..., duke nxitur sjelljen e kësaj kompanie dhe të këtij investitori që është krenari kombëtare në një nga vendet më të pasura të planetit. Dhe i hyhet në mënyrën më barbare, më të shëmtuar, më ordinere, më skizofrene nga një non grata, nga një llum që çdo ditë ndot me prodhimin e tij që është llum veshët, sytë, hundët, shtëpitë e shqiptarëve, unë nuk di çfarë të them.

Ne nuk kemi miratuar asgjë. Ne e kemi futur për diskutim me procedurë të përshpejtuar një marrëveshje srategjike e cila është e mirë për ty, për famijen tënde, për të gjithë ju që jeni brez më i ri, është e mirë edhe për prindërit tuaj sepse sjell një investim prej më shumë se 2 miliardësh që vijnë këtu për të ndërtuar portin më të madh turistik të mesdheut si dhe transformon përgjithmonë imazhin dhe industrinë e turizmit, me impakt të drejtëpërdrejtë në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar të Shqipërisë.