Politikë

Rama fton qytetarët t’i besojnë spitalit shtetëror: Turren tek privati për tamponë, farmacitë të lidhura me to

Rama fton qytetarët t’i besojnë spitalit shtetëror: Turren

Kryeministri Edi Rama fton qytetarët t’i besojnë spitaleve shtetërore lidhur me testimin dhe trajtimin për pandeminë Covid-19. Gjatë fjalës së tij në Vlorë në kuadër të platformës “deputeti që duam”, Rama u shpreh qytetarët duhet të konsultohen me mjekun e familjes, ndërkohë që ngriti akuza se privati është i lidhur me farmacitë dhe ka për qëllim të shesë sa më shumë ilaçe.

“Bëni tamponë bëni tamponë? Ç`mendoni që s`kemi tamponë apo që s`duam t`i bëjmë? Po ta dini që ka edhe nga ata që janë të lidhur me farmacitë që flasin kështu. Keni menduar ndonjëherë për këtë?

Ne iu themi se nëse nuk je mirë, qëndro në shtëpi, bëj ato që thotë mjeku, s’ke nevojë të bësh tamponin. Turren të shkojnë të bëjnë tamponë tek privati me kosto marramendëse dhe marrin ilaçe që ose nuk iu bëjnë gjë ose iu bëjnë dëm.

Venë dhe i bëjnë tamponët në privat. Njerëz pa simptoma serioze. Po le t`i bëjnë, ne s`i ndalojmë dot. Po për çfarë i bëjnë? S’funksionon kështu bli ilaçe mbytu me to. Kemi rastin e Silva Binos, që nuk iku në Turqi, e kaloi në spital në Tiranë. Pse shkoi aty? Se duke qenë shumë në brendësi të të gjithave, e di shumë mirë që s’ka në Turqi asgjë më shumë se sa ka katu”, u shpreh kryeministri Rama.